Teuta ende nuk ka bërë një plan se kur do të nisë përgatitjet për sezonin 2023-2024, por gjithçka do të futet në “shina” vetëm pasi drejtuesit të emërojnë pasuesin e Edi Martinit në stol.
Presidenti Edmond Hasanbelliu, prej ditësh ka shqyrtuar disa kandidatura, por nuk ka vendosur se kush do të marrë drejtimin e bluve në sezonin e ri.Nga burime pranë klubin durrsak, mësohet se trajneri mund të vendoset në 48 orët e ardhshme. Në skenë së fundmi ka dalë edhe emri i italianit Diego Longo, i cili mbylli sezonin si pjesë e Flamurtarit në Kategorinë e Parë, por pa mundur ta ngjisë ekipin në Superiore.
Presidenti Edmond Hasanbelliu, konfirmoi se nuk ka arritur asnjë marrëveshje. Pavarësisht se janë shtuar zërat për një emërim të Longos në krye të ekipit durrsak, gjithçka do të shikohet në orët në vijim, pasi palët mund të bisedojnë sërish.
Situata mund të ndryshojë nga momenti në moment dhe çdo gjë do të shikohet në dinamikë pas bisedimeve president-trajner. Me emërimin e numrit një të stolit do të zbardhen edhe disa dilema që kanë të bëjnë me vazhdimësinë.
Deri më tani janë konfirmuar nga Teuta pesë largime. Albion Marku, Sherif Kallaku, Jurgen Goxhaj, Ildi Gruda dhe Aleksandër Kuro nuk do të jenë më pjesë e skuadrës. Me emërimin e trajnerit të ri, klubi do të futet më pas fuqishëm në merkato.