Diego Longo do të ketë aventurën e tretë në futbollin shqiptar, ku pas Kukësit dhe Flamurtarit ka marrë drejtimin e skuadrës së Teutës. Me një njohje të konsiderueshme të futbollit shqiptar, italiani beson se do të bëjë mirë te “djemtë e detit”.Longo rrëfen se ishte presidenti Edmond Hasenbelliu ai që e bindi të rikthehet në elitën e futbollit shqiptar dhe të drejtojë Teutën, pas eksperiencës së shkurtër me Flamurtarin.Italiani premton se do të japë 100% nga vetja e tij që Teuta të marrë rezultatet dhe të shpalosë një futboll të bukur. Sa i përket merkatos, duket se ajo do të jetë në dorë të klubit dhe Longo thjesht do të bëjë propozimet e tij.
Aventura e tretë në Shqipëri, si e prisni?
Jam i kënaqur që jam rikthyer këtu, në elitë. Në aspektin sportiv pritshmëritë janë të mira, sidomos në raportin me presidentin dhe njerëzit që njoha, të cilët punojnë për klubin. Prandaj jam shumë optimist për këtë sezon.
Pse zgjodhët Teutën dhe çfarë ju bindi?
Të them të drejtën më bindi presidenti. Deri dy javë më parë nuk e prisja të rikthehesha në Shqipëri, por ishin telefonata e tij (Edmond Hasenbelliut) dhe takimi me të që më bindën, e them me sinqeritetin më të madh këtë. Përpos faktit që Teuta është një nga klubet elitare në Shqipëri dhe qytetarët e Durrësit janë njerëz fantastikë. Por motivi i parë ishte ngrohtësia e presidentit dhe besimi e respekti ndaj meje.
Cilët do të jenë objektivat me këtë skuadër?
Objektivat e mi do të jenë të shpërblej besimin dhe të ofroj një futboll argëtues për tifozët e Teutës dhe të atyre që ndjekin futbollin shqiptar. Do të bëj më të mirën dhe mund të garantoj që do të jap 100% nga vetja ime dhe do të bëj të pamundurën për të sjellë rezultatet dhe lojërat më të mira për Teutën.
Si i konsideroni aventurat e kaluara në futbollin shqiptar?
Aventura absolutisht pozitive. Te Kukësi vinim pas rezultateve jo të mira të viteve të fundit, sepse para se të shkoja kishin bërë 10 pikë më pak. Ne bëmë 55 pikë, që këtë vit do të thoshte vendi i tretë. Në fakt kemi parë se çfarë ka bërë skuadra këtë vit edhe duke parë investimet. Mund të them se ishte një sezon shumë i mirë, duke parë skuadrën që kishim në dispozicion.Me Flamurtarin ishte një eksperiencë e bukur dhe e dija që nga fillimi që do të ishte vetëm për dy muaj. Shkova atje për t’i dhënë një dorë, por ishte një situatë shumë e vështirë ajo që gjeta. Gjithsesi, ishte shumë pozitive dhe më pëlqeu që bashkëpunova me presidentin dhe një grup lojtarësh që ishin shumë të përkushtuar me punën. Punuan shumë mirë për dy muaj, për fat të keq ndodhi humbja në finalen e “play off”-it, e pamerituar, por rezultati nuk i heq vlerën eksperiencës, ndaj jam i kënaqur me këto dy aventura.
Ku do të përqendrohet merkatoja e Teutës?
Merkaton nuk do ta bëj unë. Unë stërvit lojtarët që më sjellin në dispozicion. Sigurisht që do të ketë një raport konstant me presidentin dhe do të përpiqem ta ndihmoj të kuptojë se cilat janë idetë dhe filozofia ime për lojën. Por nuk e bëj unë merkaton, sepse ka një klub, një president me eksperiencën më të madhe në Kategorinë Superiore, ndaj do të dinë çfarë të bëjnë.Punojmë të gjithë bashkë, unë për të transmetuar idetë, për të bërë lojën time dhe ata që të sjellin lojtarë, të cilët të jenë në lartësinë e Teutës. Për këtë ka sintoni totale, ndaj edhe jam optimist për këtë pjesë.