2479 familje durrsake që trajtohen me bonus qiraje, prej tre muajsh nuk marrin paratë.
Ka qenë marsi, muaji i fundit kur ata kanë marrë subvencionimin e fundit të qirasë për banesat e dëmtuara nga tërmeti, të cilat ende nuk kanë përfunduar së rindërtuari apo riforcuari.
Bëhet fjalë kryesisht për familje që banonin deri më 26 nëntor 2019 në banesa kolektive apo individuale, të cilat morën dëmtime të shkallës DS4 apo DS5 nga tërmeti i frikshëm.
Prej rreth 4 vitesh ata presin të kthehen në shtëpitë e tyre, por për shkak të zvarritjes së procesit të rindërtimit ende nuk kanë një banesë të tyren.
Mosmarrja prej 3 muajsh tashmë e bonusit i ka vendosur në kushte të vështira ekonomike,, ndërkohë që burime në bashki bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se janë në pritje të lëvrimit të fondit përkatës nga buxheti i shtetit për të vijuar më pas me shpërndarjen e parave.
Dhënia e bonusit të qirasë është shoqëruar shpeshherë me vonesa disa mujore në Durrës dhe në jo pak raste banorët janë ankuar gjatë protestave të zhvilluara përgjatë këtyre viteve para bashkisë.
Pak javë më parë, në bashki u zhvilluan 2 shorte publikë ndarjen e apartamenteve për 35 familje durrsake që përfituan banesa të reja në dy pallate të rindërtuara në dy lagje të qytetit.
Ndërkohë, ende nuk është dorëzuar asnjë nga pallatet e ndërtuara në sitin e Spitallës, pavarësisht se burime zyrtare vendore patën konfirmuar se godinat e para do të ishin gati në dhjetor të vitit të kaluar. Aty janë planifikuar të ndërtohen rreth 1000 apartamente për të pastrehët e tërmetit, ndërkohë që i gjithë siti pritej të përfundonte pranverën e këtij viti.
Nga ana tjetër, ende vijojnë punimet për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti, nxënësit e të cilave për të katërtin vit rradhazi zhvilluan mësimin pasdite në shkolla pritëse.
Godinat arsimore janë duke u rindërtuar me fondet e BE-së, në kuadër të programit EU4Schools, ndërsa projektet zbatohen nga UNOPS.
Një ditë më parë, kryebashkiakja Emiriana Sako inspektoi punimet për rindërtimin e shkollës së mesme sportive kombëtare “Benardina Qerraxhia” si dhe të konviktit të kësaj shkolle.
Duke parë ecurinë e punimeve në kantieret e shkollave që po rindërtohen, disa prej tyre nuk do të jenë gati në fillim të vitit të ri shkollor, në muajin shtator.
M.B.





