Skuadra e Teutës vazhdon merkaton, ku prioritet ka të rindërtojë nga e para krahun e djathtë, pas largimeve në ditët e para të qershorit.Klubi durrsak ka menduar për të “rinuar” repartin e mesfushës duke afruar një futbollist të perspektivës. Teuta ka nënshkruar me Ergys Peposhin, futbollistin, i cili në sezonin e fundit luajti me Kukësin.Ai vjen për të dhënë kontributin e tij në skuadrën durrsake, teksa ka treguar se mund të luajë edhe si mbrojtës krahu. Lojtari shprehet i lumtur për arritjen e marrëveshjes dhe nuk i kursen falënderimet.
Ergys, jeni zyrtarisht lojtar i Teutës, si ndiheni?
Jam i lumtur që tashmë jam lojtar i Teutës. Realisht e njoh shumë mirë ambientin, skuadrën dhe personalisht ndihem shumë mirë që jam këtu. Në radhë të parë dua të falënderoj drejtuesit dhe trajnerin Longo për mundësinë që po më japin.
Keni pasur edhe dy oferta të tjera, përse zgjodhët Teutën?
Të them të drejtën, gjithmonë e kam pasur me shumë dëshirë këtë klub. Edhe kur jam larguar nga Teuta më ka lënë përshtypje të mirë, sepse janë disa gjëra që janë shumë të rregullta këtu. Në lidhje me vendimin, ka rëndësi edhe fakti se presidenti tregoi vlerësim për mua dhe pas bisedimeve korrekte, jam shumë i lumtur që arritëm akord. Besoj se edhe unë do të jap maksimumin për këtë klub.
Çfarë synimesh keni tani që jeni pjesë e Teutës?
Dua të them se të gjithë duhet të japim më të mirën tonë në çdo seancë stërvitore, pasi në kampionat duhet sakrifikuar dhe duhet dhënë 100%, por deri atëherë ka kohë. Së bashku kemi besim të plotë se do të bëjmë mirë në këtë sezon. Shpresojmë që deri në startin e edicionit të jemi në formë dhe ta nisim mbarë. Këtu janë të gjithë profesionistë dhe duhet të mendojmë për ndeshjet e sezonit të ri dhe të respektojmë fanellën. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë në fushë.
Longo merr drejtimin e Teutës. Ju keni punuar më parë te Kukësi së bashku, keni biseduar me të?
Po, kam biseduar me trajnerin Longo dhe pas një telefonate më të, më bindi që të kthehem te Teuta. Për sa i përket ardhjes te Teuta, ai do të mundohet me shumë punë që të injektojë sa më shpejt filozofinë e tij të lojës.
Çfarë synimesh keni në aspektin personal me Teutën?
Dua të jap më të mirën te Teuta, që të jetë sa më lart. Për sa i përket anës personale, jam në një ambient, ku mund të shpreh gjithë cilësitë e mia dhe pres të bëj një sezon shumë të mirë.