Tri afrime dhe pesë largime. Kjo është situata e Teutës deri më tani në merkaton e verës. Pas mbylljes së sezonit 2022-2023, nga durrsakët ikën titullarë si Albion Marku, Sherif Kallaku, Jurgen Goxhaj, Ildi Gruda dhe Aleksandër Kuro, ndërsa janë afruar Ergys Peposhi, Aldi Gjumsi dhe Mario Gjata. Klubi po vijon bisedimet me disa lojtarë vendës dhe të huaj për të tria repartet: mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Trajneri i ri, Diego Longo, që do të nisë punën më 4 korrik, do të ketë në dispozicion pjesën dërrmuese të grupit të sezonit të kaluar. Shumica e lojtarëve, të cilëve u kishte mbaruar marrëveshja, biseduan me drejtuesit dhe rinovuan kontratën.

Në listën e atyre që u skadon kontrata dhe gjetën marrëveshje me klubin deri në vitin 2024 fillimisht ishin Blerim Kotobelli, Klejdi Daci dhe Harrallamb Qaqi. Longo mësohet se nuk ka humbur asnjë lojtar që e kishte konsideruar të rëndësishëm për skemën e tij apo ekipin. Të paktën kështu mësohet nga bisedat që trajneri ka pasur me drejtuesit. Presidenti Hasanbelliu po punon për një ekip kompetitiv dhe të denjë për sezonin e ardhshëm.

Nisur nga afrimet e fundit dhe dëshirat e Teutës në merkato, duket se fillimi i fazës përgatitore do të jetë një kantier i hapur, derisa Longo të përzgjedhë 25 lojtarët që do të mbeten zyrtarisht pjesë e ekipit për sezonin e ri.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se do të jenë edhe disa afrime të tjera deri në mes të muajit korrik, kur skuadra do të udhëtojë më pas drejt Banskos në Bullgari, për të kryer në këtë të fundit pjesën më të rëndësishme të fazës përgatitore. Në Durrës kanë piketuar disa lojtarë, por janë hermetikë për të zbuluar emra. Fakti që afrimet e deritanishme janë në një moshë të re, por të afirmuar më parë në Superiore, tregon për një strategji të qartë të klubit, me Longon që kërkon lojtarë që kanë dëshirë dhe ambicie për të shpërthyer në kampionatin e ri. Peposhi si “xhol” në krahët e mbrojtjes dhe sulmit, por edhe Gjumsi e Gjata në ofensivë, janë afrime që Longo ka dhënë OK-in.