Arbër Çyrbja zgjodhi të vijojë karrierën te Teuta edhe për një sezon. Ai duket më se gati për startin me “djemtë e detit”.29-vjeçari e ka kthyer fokusin e tij te rinovimi dhe ecuria. Çyrbja tregoi pse zgjodhi të vijojë karrierën te Teuta, ambientin që është në skuadër dhe objektivat e sezonit.

Arbër rinovoni edhe një sezon me Teutën, si ndiheni?

Te Teuta jam në shtëpinë time dhe do të qëndroj edhe një sezon. Jam mirënjohës ndaj klubit për mënyrën si më ka trajtuar. Të veshësh këtë fanellë është përgjegjësi dhe privilegj, ndaj unë jam gati të vazhdoj këtë aventurë të mrekullueshme.

Gjatë kësaj periudhe keni pasur kontakte me ekipe të tjera?

Nuk kam folur me asnjë skuadër tjetër për respekt të klubit tim dhe të tifozëve të Teutës. E falënderoj klubin, jam vërtet i lumtur dhe e kam thënë gjithmonë qe nuk doja të flisja me asnjë klub. Kjo gjë do të ndodhte vetëm nëse Teuta do të me thoshte se nuk donte të rinovonte kontratën me mua.

Si është forma juaj aktualisht?

Ndihem mirë fizikisht dhe mendoj se mund të kontribuoj akoma për ekipin. Nesër nisim dhe zyrtarisht përgatitjet dhe në këtë mënyrë jam gati.

E keni parë rritjen e kësaj skuadre nga afër vitet e fundit, çfarë ka ndryshuar?

Jam shumë krenar të bëj pjesë në këtë grup dhe në këtë klub. Kemi një histori të madhe. Ka qenë gjithmonë një nder dhe një privilegj të luaj për Teutën. Gjendem shumë mirë me shokët e mi. Jam shumë i lumtur që do të jem për shumë kohë pjesë e Teutës.

Gjithmonë lojtarët kanë dëshirë për trofe, por sipas jush sa e mundur është kjo sezonin e ardhshëm me Teutën?

Ne jemi të vendosur për të fituar. Do të luajmë gjithmonë për të fituar dhe ky është objektivi ynë i vetëm. Do të bëjmë gjithçka për të qenë ndryshe këtë sezon. Po punojmë çdo ditë e më shumë, sepse vetëm me punë edhe sakrifica mund të arrihen disa gjëra. Ka Çyrbja një objektiv personal te Teuta? Objektivat personalë, rekorde apo statistika, për mua janë të pavlera nëse nuk janë në shërbim të ekipit. Për mua rëndësi ka që unë të bëj më të mirën për skuadrën e Teutës. Ai do të jetë objektivi im personal.