Teuta hap një faqe të re, duke nisur punën me stafin e ri teknik. Trajneri Diego Longo me ndihmësit e tij Amadeo di Late, Ilir Biturku, Mark Dodaj dhe Bledian Rizvani kishin takimin e parë me futbollistët. Italiani Longo njoftoi skuadrën për startin e sezonit të ri, shpalosi planin e punës, ndërsa u bëri me dije se në kërkim të realizimit të objektivave të klubit do të kërkohet punë maksimale dhe disiplinë e rreptë. Menjëherë pas mbledhjes ekipi ka zhvilluar seancën e parë stërvitore nën drejtimin e stafit të ri teknik. Teuta ka nisur sot përgatitjet për sezonin 2023-2024 në stadiumin “Niko Dovana”.

Skuadra e drejtuar nga Diego Longo ka zbritur në fushë për herë të parë sezonin e ri, teksa këto stërvitje të para do t’i shërbejnë stafit për të bërë një seleksionim të futbollistëve për sezonin e ri.

Në seancën e parë janë parë dhe dy elemente të rinj si Mario Gjata dhe Aldi Gjumsi, të cilët vijnë respektivisht nga Tirana dhe Apolonia. Krahas futbollistëve që janë konfirmuar nga sezoni i kaluar, me ekipin pritet të bashkohen futbollistë të tjerë cilësorë si brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Me skuadrën në stërvitje ishin të pranishëm të gjithë futbollistët, të cilët ishin në formë të mirë fizike.

Drejtuesit e Teutës po përpiqen të formojnë një skuadër të që luftojë për trofe. Kjo duket qartë nga lëvizjet në merkato, ku përveç largimeve do të ketë dhe afrime lojtarësh të një niveli të lartë, drejtuesit premtojnë afrime cilësore.

Gjithsesi, trajneri Longo ka deklaruar se ka besim te lojtarët dhe do të vazhdojë që edhe për këtë sezon ta bazojë lojën te grupi i vjetshëm. Një sezon më parë durrsakët kanë pasur në gjirin e tyre lojtarë cilësorë dhe loja e tyre ka qenë e bazuar te grupi.Stërvitja shkoi sipas planit, ku stafi teknik ishte mjaft i kënaqur me gjendjen fizike të futbollistëve, të cilët e kanë ruajtur formën e tyre edhe përkundër që ishin në pushim disa javë. Në stërvitjen e parë ishte një atmosferë shumë e mirë.

Dy largimet e radhës nga Teuta janë Uhedi Hoxha dhe Alban Cejku. Të dy lojtarët nuk kanë qenë më prioritet për të ardhmen dhe në këtë mënyrë janë larguar, teksa kanë marrë letrat nga Teuta.

Me ardhjen e Diego Longos në stol, te Teuta ka ndryshime dhe në pjesën e stafit, që do të ndihmojnë trajnerin gjatë sezonit të ri.

Kështu në rolin e zv.trajnerit do të jenë Amadeo di Late dhe Ilir Biturku, përgatitës atletik do të vijojë Mark Dodaj dhe trajneri i portierëve Bledian Rizvani. Ndërsa ish-krahu i djathë i Martinit tek Teuta, djali i shtëpisë, Bledar Hodo, do të marrë drejtimin e Teutës U-19.

Të enjten e 13 korrikut ekipi transferohet në Bansko në Bullgari, ku prej 13 deri më 31 korrik do të zhvillohet faza e dytë e përgatitjeve dhe përveç seancave stërvitore do të zhvillohen edhe disa ndeshje miqësore. Pas rikthimit nga Bullgaria, në fillim të muajit gusht, skuadra do të përgatitet në Durrës për sezonin e ri.