Teuta ka mbyllur javën e parë të përgatitjeve dhe e diela është lënë pushim. Për pesë ditë durrsakët nën drejtimin e trajnerit Diego Longo dhe stafit teknik, kanë zhvilluar nga dy seanca stërvitore. Ekipi është stërvitur normalisht dhe grupi është në gjendje optimale. Lorenco Vila ka folur për ecurinë e fazës përgatitore të skuadrës së tij dhe atmosferën e skuadrës nën drejtimin e trajnerit të ri, Diego Longo.
Teuta ka ndryshuar shumë, ka disa afrime dhe për më tepër edhe një trajner të ri. Çfarë prisni nga ky edicion?
Në këto ditë të para shoh entuziazëm dhe jemi optimistë. Kemi një staf të kualifikuar dhe shpresoj të ecim sa më lart. Është herët për të bërë parashikime, por këtë vit ambiciet janë të mëdha dhe do ta tregojmë në fushë se sa meritojmë.
Në çfarë pozicioni e shikoni veten? Ku ndiheni më mirë, në krahun e majtë apo të djathtë?
Unë luaj pa problem në të dy krahët, por më komod ndihem kur jam në të djathtë dhe në këtë mënyrë mund ta shfrytëzoj më mirë shpejtësinë time.
Stafi teknik po punon intensivisht me nga dy seanca stërvitore, si duket gjendja e ekipit?
Vinim pas një pushimi relativisht të gjatë dhe ekipi ka nevojë për të punuar fort në këtë periudhë për të qenë gati për kampionatin. Sigurisht që po punojmë fort dhe ushtrimet kanë larmishmëri. Një pjesë e mirë e lojtarëve duken në formë dhe kjo është shumë pozitive, edhe pse kemi mbyllur vetëm javën e parë të përgatitjeve.
Të mërkurën pritet të luani një miqësore. Si e prisni?
Këto ndeshje janë për të parëkondicionin fizik të lojtarëve. Kemi kohë mjaftueshëm përpara për t’u përgatitur ashtu si duhet dhe deri në startin e Superiores jemi të bindur se do të jemi gati.
Çfarë prisni në sezonin e ardhshëm në aspektin personal?
Dua të mos kem dëmtime, të jap maksimumin tim dhe të ndihmoj ekipin në fushë. Kjo është gjëja kryesore për mua.