Nga BUJAR QESJA

shtëpinë e Ben Çetës. Janë tre personazhe të dorës së parë në Durrës. Njerëz shumë të dashur për durrsakët, shumë të shtrenjtë, shumë të çmuar, shumë të rrallë, aset i qytetarisë.

Tre që na identifikojnë traditën dhe historinë tonë, që na rritin krenarinë, që na ngrejnë kryet për të thënë: që edhe ne jemi. Fati e ka dashur që të mblidhen të tre së bashku, për ta na dërguar në qiellin e shtatë, e për të thënë me plot gojën, për të pohuar me plot shpirt: ju duam shumë heronjtë tanë, mburrja e jonë e pakontestueshme.

BEN ÇETA, GJERGJ VLASHI, MIRBAN KADIU! Tre në një, vendosur bukur, hijshëm në kornizën e artë të shoqërisë tonë. Ben Çeta doktori i zemrës. Me zemrën e tij, shëroi zemrat e tronditura të durrsakëve. Si mund të harrohet ky njeri i madh, që nuk lodhej, e nuk mërzitej, ku zemrën e tij e kish nxjerrë nga kraharori i çarë, për tua ndarë si derman zemrës së çdo bashkëqytetari të tij.

Vuajti Ben Çeta ynë, vuajti. Ai kishte dy zemra. Zemrën e mbushur me dhimbje e mbajti për vete, ndërsa atë të fortën, të bukurën, të pastrën ua dha përjetësisht durrsakëve, që e deshën me 100 përqind të shpirtit.

Gjergj Vlashi, historia e vendos në ballë të kulturës qytetare. Shkrimtar, regjisor, përkthyes, erudit klasik, poliglot etj. disa nga vlerat, që janë fare pak nga ato që zotëronte. Humori i tij mbeti fin, e qeshura ngjasonte ne freskinë e verës, e folura me rrjedhën tërheqëse të kataraktit.

Ky Gjergj udhëhoqi shpirtërisht, ushtrinë e madhe të intelektualëve të këtij qyteti, që quhet i joni. Baba i dy artistëve të çquar violinistit Florian Vlashi dhe piktorit Bep Vlashi. Bashkshort i fisnikes dhe të urtës Shpresa Velaj. I “dënuar” të jetë edhe gjysh i instrumentistëve virtuozë. Ky Gjergj i Vlashëve mbetet kurdoherë udhërrëfyesi ynë.

Mirban Kadiu, rasti unikal i notarit të lindur në det. “Adriatiku” ishte dhe mbeti shtroja e tij dhe dallgët si një djep, lëkundnin njërin prej talenteve më të spikatur të notit, duke iu pushtuar gjoksi me 38 medalje. Bon Kadiu do të kujtohet nga organizatorët më të veçantë të notit durrsak, duke ndërtuar veprimtari në shërbim të historisë dhe traditave.

Shërbëtori më i zellshëm i notit, duke lagur më parë zemrën e më pas trupin, me ujët e rekordeve dhe rezultateve befasuese edhe për moshën e veteranëve. Bon Kadiu na la pas, trashigiminë e jashtëzakonshme të notit dhe notarëve durrsakë. Dashurinë e madhe për notin, Durrësin dhe durrsakët, nuk mund të gjej fjalë që ti përshkruaj.

Të tre këto të kësaj pamje të veçantë, janë bukuria dhe mrekullia e jonë. Çfarë homazhi janë këto rradhë për to. Dhe kurrë nuk do të rresht, derisa të më lëvizë dora, derisa mëndja të më prodhojë mendimin, të shkruaj për këto të rrallë tonët.

I duam siç na kanë dashur. Malli na këput për ta. Zemra na çahet nga dhimbja që nuk i kemi. Por optimizmi për ti kujtuar e mos ti harruar, na e ka veshur shpirtin me dashuri të pashuar.

Të tre së bashku në një. Të gjithë së bashku me ju të tre. GJERGJ VLASHI, MIRBAN KADIU dhe BEN ÇETA mburrja e jonë para të tjerëve. Të mëdhenjtë tanë. Të thjeshtët tanë. Gjithnjë mbeteni, ajo që quhet pamja jonë më e bukur.

Pranë nesh me sytë e mëndjes. Brenda trupave tanë, me sytë e zemrave. Gjjthnjë pjesë e jona dhe të pandarë nga ne. Jeta e jonë, së bashku me kujtimet tuaja.

MIRBAN KADIU, BEN ÇETA DHE GJERGJ VLASHI! Specifika të veçanta në vlera të njëjta. Nderim dhe mirënjohje!

Bujar Qesja

Durrës: 12 korrik 2023

Në pamje, nga e majta: Ben Çeta, Gjergj Vlashi dhe Mirban Kadiu.

Viti 1988.