Teuta vazhdon me përforcimet.

Nuk do të mbyllet me 5 afrime merkatoja e kësaj, pasi të tjerë priten.

Drejtuesve u kanë përqendruar kërkimet për gjetjen e lojtarëve për mbrojtjen dhe mesfushën.

Edhe pse i kanë rolet të dubluara, kërkojnë që të shtojnë eksperiencën dhe cilësinë. Vend ka edhe për disa prurje të fundit.

Ndërkohë që me ekipin në stërvitje është bashkuar edhe portieri Elton Vata, i cili sezonin e fundit ishte pjesë e Tërbunit.

Kujtojmë që 25-vjeçari ka qenë në të kaluarën pjesë e akademisë së “djemve të detit”, ndaj ky është një rikthim në shtëpi.

Teuta ka zhvilluar dje seancën e parafundit në Durrës, në prag të nisjes për në Bullgari. Atje ekipi do të vijojë pjesën tjetër të fazës.

Diego Longo po kujdeset që të ruajë “pjesët” para nisjes në tokën bullgare. Prioritet i kësaj sfide do të jetë njohja e grupit edhe më shumë nga trajneri, ndaj pritet që të aktivizojë të gjithë lojtarët, të cilët do të udhëtojnë.

Ka vijuar me ritme të larta stërvitja edhe dje, duke rritur adrenalinën te durrsakët. Skuadra do të synojë që të marrë ngarkesa gjatë kësaj periudhe dhe vetëm më pas do të mendojnë për kolaudimin.

Seanca e djeshme filloi me nxehje të lehtë.

Përgatitësi atletik, Mark Doda, dhe zv.trajnerët Amadeo di Late e Ilir Biturku punuan me futbollistët më shumë nëplanin fizik.

Më pas kaluan tek ushtrimet aerobike, për t’i hapur rrugën anës taktike dhe punës metop. Në fund, trajneri ndau grupin në dysh. Ishte radha e lojës, e cila në disa momente pati edhe ndalesa.

E megjithatë, për t’u evidentuar është harmonia që mbizotëron te “djemtë e detit” dhe kjo shihet si një faktor kyç për një ecuri pozitive gjatë sezonit të ri.