Përmes një statusi në rrjete sociale, arkivisti i teatrit dhe Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” Gëzim Domi njofton se i është suprimuar vendi i punës dhe për pasojë i është komunikuar largimi.

Fotografi i njohur shkruan se në historinë 70-vjeçare të teatrit të qytetit ky post është mbajtur nga disa personalitete të njohura të kulturës dhe artit në Durrës si Todi Thanasi, Haxhi Rama dhe Luan Jaupi, ndërsa tani ky institucion rrezikon të kthehet në teatrin e parë në botë pa arkivist.

“Me propozim të drejtorit aktual Elio Bajramaj dhe me miratimin e kryetares së Bashkisë së qytetit të Durrësit, është vendosur largimi im nga puna duke suprimuar vendin e arkivistit në këtë institucion me nje histori 70 vjecare.

Unë nuk e di me çfarë logjike profesionale dhe proceduriale teatri Aleksandër Moisiu kërkon të jetë teatri i parë në botë pa arkivist, por ndoshta këtë e spiegon më mirë artisti i mirënjohur botëror Florian Vlashi në një intervistë protestë për jetën kulturore në Durrës, kur sjell një citat nga shkrimtari i madh Milan Kundera.

“Hapi i parë për të likuiduar një popull është të shuhet memoria….:– shkruan ndër të tjera Domi në statusin e tij.

Më tej Domi siguron miqtë dhe dashamirësit e tij se “nuk do të ndërpres pasionin dhe përkushtimin tim profesional për të fiksuar dhe ruajtur arkivin e qytetit tim edhe jashtë emërimit zyrtar, sic kam bërë gjatë gjithë jetës sime profesionale. Eshtë detyra ime si qytetar të sfidoj përpjekjet për të shuar kujtesën e institucionit dhe të qytetit, aq më tepër për të mos lejuar trajtimin e historisë sipas interesave të çastit”.

Statusi i plotë:

Miq, ju njoftoj se nuk do të jem më arkivist i teatrit dhe qendrës kulturore Aleksandër Moisiu.

Me propozim të drejtorit aktual Elio Bajramaj dhe me miratimin e kryetares së Bashkisë së qytetit të Durrësit, është vendosur largimi im nga puna duke suprimuar vendin e arkivistit në këtë institucion me nje histori 70 vjecare.

Prej disa vitesh kam vazhduar ruajtjen dhe pasurimin e dokumentuar të veprimtarisë së këtij institucioni nëpërmjet arkivit të themeluar nga i papërsëritshmi Todi Thanasi, e më pas nga personalitete si Haxhi Rama e Luan Jaupi.

Unë nuk e di me çfarë logjike profesionale dhe proceduriale teatri Aleksandër Moisiu kërkon të jetë teatri i parë në botë pa arkivist, por ndoshta këtë e spiegon më mirë artisti i mirënjohur botëror Florian Vlashi në një intervistë protestë për jetën kulturore në Durrës, kur sjell një citat nga shkrimtari i madh Milan Kundera.

“Hapi i parë për të likuiduar një popull është të shuhet memoria. Të shkatërrosh librat e tij, kulturën dhe historinë. Pastaj dikush duhet të shkruaj libra të tjerë, të prodhojë një kulturë të re dhe të shpikë një tjetër histori. Menjëherë kombi do të fillojë të harrojë kush është dhe kush ishte. Dhe bota përreth do ta harrojë akoma më shpejt”

Miqtë e mi, ju siguroj se unë nuk do të ndërpres pasionin dhe përkushtimin tim profesional për të fiksuar dhe ruajtur arkivin e qytetit tim edhe jashtë emërimit zyrtar, sic kam bërë gjatë gjithë jetës sime profesionale. Eshtë detyra ime si qytetar të sfidoj përpjekjet për të shuar kujtesën e institucionit dhe të qytetit, aq më tepër për të mos lejuar trajtimin e historisë sipas interesave të çastit.