Realdo Fili zgjodhi të vijojë karrierën te Teuta, duke nënshkruar për një sezon me blutë e drejtuar nga Diego Longo.
Sulmuesi duket më se gati për startin me “djemtë e detit”. 27-vjeçari kërkon të bëjë një sezon perfekt në vendin tonë, për të synuar edhe një herë rikthimin në arenën e madhe.
Fili tregon pse zgjodhi të vijojë karrierën te Teuta, ambientin që është në skuadër dhe objektivat e sezonit.
Realdo, pas një aventure disavjeçare jashtë vendit, vjen firma me skuadrën e Teutës. Përse morët këtë vendim?
Pas një periudhe jo aktive, kisha nevojë për një ambient të qetë që të kap formën time maksimale dhe ekipi i Teutës është mundësia më e mirë për ta realizuar këtë.
Prej ditësh jeni bashkuar me ekipin në stërvitje, si është gjendja juaj?
Gjendja ime fizike është e mirë, jemi duke punuar shumë fort me ekipin dhe për pak javë do të jem në formën time fizike maksimale.
Teuta ka bërë disa ndryshime për sezonin e ri. Si e shihini? Mund të bëjë mirë ky ekip?
Padyshim që po. Me punën e presidentit dhe stafit, të cilët i falënderoj për mundësinë, jam i bindur se do të bëjmë shumë mirë duke treguar profesionalizëm dhe cilësi.
Kush ju bindi të bashkoheshit me Teutën?
Pata vetëm një takim me presidentin dhe një shtrëngim duarsh, kaq.
Çfarë synimesh keni tani që jeni pjesë e Teutës?
Synimet janë që të ndihmoj me të gjitha mundësitë ekipin që të realizojë objektivat e vendosur. Në aspektin personal dua të arrij formën time më të mirë sa më shpejt dhe të ndihmoj me eksperiencën që kam, duke shënuar sa më shumë dhe duke asistuar për shokët.