Temperaturat përvëluese të ditëve të fundit kanë rritur ndjeshëm numrin e qytetarëve, por edhe pushuesve që kërkojnë ndihmën e bluzave të bardha, për shkak të komplikacioneve shëndetësore.

Këto ditë që Durrësi po përballet me temperatura deri në 40 gradë në qytet janë ngritur nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor disa njësi informuese të lëvizshme që orientojnë qytetarët dhe turistët e huaj mbi kujdesin e shtuar që duhet të tregojnë.

Nuk mungojnë dhe ambulancat që ofrojnë trajtim mjekësor më të specializuar.

“Aktualisht ndodhemi afër Amfiteatrit. Jemi pozicionuar këtu, si një pikë kontakti edhe për turistët për t’u mësuar ku janë Qendrat Shëndetësore. Nëse lind nevoja mund të ofrojmë menaxhim të menjëhershëm nga ekipi mjekësor që atashohet pranë shërbimit tonë”,- thotë për “DurrësLajm”, Aurora Hyka, drejtoreshë e NjVKSh Durrës.

Në 4 qendrat shëndetësore pranë zonave turistike që janë në shërbim 24/7 vihet re një fluks i shtuar pacientësh, që kanë nevojë për ndihmën e parë.  

“Vihet re një numër në rritje në të 4 qendrat shëndetësore verore, por jo vetëm. E njëjta situatë është dhe në QSH-të e tjera të bashkisë Durrës dhe Shijak. Që nga fillimi i sezonit janë rreth 4000 vizita”,- thotë Hyka.

Komplikacionet shëndetësore, sidomos tek personat e moshuar me sëmundje kronike, por edhe pickimet prej mushkonjave apo djegiet nga dielli janë ndër shqetësimet kryesore të pacientëve që paraqiten pranë bluzave të bardha.

Për t’u ruajtur në këto ditë të nxehta, mjekët këshillojnë evitimin e daljeve në oraret e pikut dhe konsumimin e sa më shumë lëngjeve.

M.B.