Pas tri vitesh te Tirana, sulmuesi i krahut Aldi Gjumsi zgjodhi të vijojë karrierën te Teuta, duke nënshkruar për dy sezone. 21- vjeçari është një nga lojtarët premtues të dalë nga akademia e Tiranës, ndërsa tashmë shpreson të shpërthejë në Durrës. Në miqësoren e fundit që Teuta luajti kundër rumunëve të Selimbarit, Gjumsi arriti të shënojë dy gola shumë të bukur. Gjumsi tregoi për synimet që ka si pjesë e Teutës, ambientin që është në skuadër dhe punën që po bën nën drejtimin e Diego Longos.
Nga Tirana te Teuta, mendoni se jeni në ekipin e duhur për të shfaqur plotësisht vlerat tuaja dhe për të shpërthyer në Superiore?
Jam menduar gjatë para se të zgjedh ku do të vazhdoja karrierën dhe besoj se kam marrë vendimin e duhur. Do të jap më të mirën time për të ndihmuar ekipin.
Keni shënuar dy gola në miqësoren e fundit, e ndieni se jeni përshtatur shpejt?
Jam përshtatur shpejt falë edhe çunave të ekipit, që më kanë afruar, qoftë ata me eksperiencë, ashtu edhe ata në moshë më të re. Sigurisht që dy golat në miqësoren e fundit më kanë motivuar më shumë, pasi kisha kohë pa shënuar dhe pa marrë minutat e duhura.
Çfarë ju ka thënë trajneri Longo për mënyrën e lojës?
Trajneri më këshillon për gabimet, pra çdo herë kur unë s’jam aty ku duhet të jem në fushë. Trajneri më ka dhënë detyra specifike që të jem sa më pranë portës, për të shënuar.
Cili është pozicioni juaj i preferuar në fushë, ku jepni më shumë?
Roli i mesfushorit të majtë është pozicioni që kam dëshirë të luaj. Megjithatë, nuk e kam problem, pasi dua të kem minuta sa më shumë dhe të luaj aty ku më vendos trajneri.
Çdo lojtar ka një idhull që e ka frymëzuar në futboll. Ju cilin keni?
Për mua të gjithë lojtarët në nivele të larta janë shembull për t’u marrë. Nuk mund të them ndonjë emër konkret.