Teuta vijon fazën përgatitore në Bansko të Bullgarisë dhe është kapiteni Blerim Kotobelli ai, që tregon për punën që po bëhet në prag të fillimit të kampionatit. Mbrojtësi i majtë është i bindur se Teuta do të luftojë për të qenë sa më lart në renditje, ndërsa foli edhe për rinovimin e kontratës.
Blerim, keni rinovuar kontratën edhe një sezon në Durrës, duke konfirmuar se jeni shumë i lidhur me Teutën…
Në Durrës jam si në shtëpi. Teuta është ekipi që më ka dhuruar shumë kënaqësi dhe emocione në karrierën time. E ndiej veten mirë këtu dhe do të bëj maksimumin tim për të justifikuar besimin që ka klubi.
Si po shkojnë përgatitjet në Bansko të Bullgarisë?
Këtu kemi gjetur kushte shumë të mira dhe temperatura normale, pasi nuk është ai i nxehti që lamë në Durrës. Po përgatitemi në 100% të mundësive tona çdo ditë me përkushtim maksimal. Thuajse çdo ditë kemi bërë nga dy seanca stërvitore dhe për fat të mirë s’ka pasur dëmtime.
Keni zhvilluar dy miqësore deri më tani, si ju është dukur ekipi?
Këto miqësore janë për të parë kondicionin fizik të lojtarëve, pasi kemi kohë mjaftueshëm përpara për t’u përgatitur ashtu siç duhet deri në startin e kampionatit, teksa jemi të bindur se do të jemi gati.
Si e shikoni skuadrën në sezonin e ri?
Teuta ka luajtur gjithnjë për trofe. Duke ditur ambiciet e klubit, objektivi do të jetë që të jemi sa më lart në renditje.
Prisni një kampionat më të fortë se i kaluari?
Po, Kategoria Superiore këtë sezon do të jetë shumë e vështirë, pasi ka emra të mëdhenj klubesh që janë kthyer në elitë.