Teuta është futur në javën e tretë stërvitore në Bansko të Bullgarisë, aty ku deri më tani ka luajtur dy ndeshje miqësore dhe ka arritur të njëjtat rezultate (2-2), fillimisht ndaj maqedonasve të Brera Strumicës dhe më pas kundër rumunëve të Selimbarit. Miqësorja ndaj maqedonasve të Bregalnicës u anullua. Trajneri Longo po mundohet t’u marrë maksimumin lojtarëve në këtë periudhë, në mënyrë që gjatë muajit gusht, kur skuadra të jetë kthyer në Durrës, të jetë “top” nga ana fizike.
Kampionati nis më 19 gusht dhe stafi teknik kërkon që të stërvitë një grup të plotë, në një kohë që kushtet e mira në Bansko ia kanë thjeshtësuar stafit të ri teknik për të vënë në praktikë idetë. Grupi i lojtarëve ka marrë ngarkesë të madhe në këtë periudhë, por ditët e fundit plani stërvitor nuk është më i njëjtë si më parë. Longo i ka kushtuar më tepër rëndësi në këtë periudhë të fundit të fazës anës taktike dhe ushtrimeve më së shumti.Longo ndërhyn shpesh kur sheh paqartësi, vetëm e vetëm që grupi të arrijë pritshmëritë. Merkatoja për Teutën nuk ka mbaruar dhe klubi ka në plan afrimin e të paktën 2-3 elementëve cilësorë, që do të kompletonin ekipin para startit.