Mëngjesin e së shtunës, rreth orës 07.30, në terminalin lindor që kompania EMS e ka marrë me koncesion 35-vjeçar kanë ndërhyrë efektivë të Forcës së Sigurisë dhe mjetë të rënda të një kompanie private.

Florian Çimo, menaxher tregtar i kompanisë EMS, e konsideron arbitrar veprimin e Autoritetit Portual Durrës, pasi kompanisë i është pezulluar procesi i ngarkim shkarkimit.

“Në mëngjes, punonjësit e terminalit na njoftojnë me urgjencë, që mjete private, të paautorizuara, kanë hyrë në terminal të shoqëruara nga forcat e sigurisë të APD, sikurse edhe drejtori ekzekutiv i APD, duke vendosur blloqe betoni dhe duke kufizuar një pjesë të terminalit ku ne operojmë. këto janë veprime me forcë, në mënyrë arbitrare”,– tha Çimo për “DurrësLajm”.

Çimo mohon të jenë vënë në dijeni paraprakisht për këtë ndërhyrje me forcë në terminal, që po i shkakton dëm ekonomik kompanisë EMS.

“Dje, në orën 16.15 kemi marrë një email nga drejtori juridik i APD-së, ku na njofton mbi ndryshime në administrimin e territorit të Autoritetit Portual Durrës, por në asnjë mënyrë nuk shpjegonte se do të ndërhyhet tek terminali.

Tani që flasim peshoret janë të bllokuara janë në terminal forca të shumta të sigurisë portuale, të cilat nuk japin asnjë sqarim dhe sot në mëngjes më kanë penguar edhe mua, që jam një nga përfaqësuesit kryesorë të terminalit të shkoj në zyrë, sepse rruga ishte e bllokuar nga blloqet e betonit”,- theksoi Çimo.

Ndërhyrja në terminalin lindor mund të jetë hapi i parë për vënien në zbatim të projektit për ndërtimin e marinës turistike, investim ky i  kompanisë Eagle Hills Real Estate Development, që përfaqëson në investim biznesmenin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar. Ndërkohë, kjo ndërhyrje realizohet ditë të shtunë, që presupozohet se është ditë pushimi për administratën shtetërore.

“Duhet të pyesni APD pse këto veprime arbitrare i ka ndërmarrë ditën e shtunë në mëngjes dhe për çfarë arsye është duke e marrë një zonë të koncesionit jo në rrugë ligjore, por me forcë”, thotë Çimo.

Në terminalin lindor realizohet prej 15 vitesh procesi i ngarkim-shkarkimit të mallrave rifuxho. Kompania EMS nuk ka dijeni se edhe përsa kohë do të vijojë të ushtrojë aktivitetin tregtar në port, pavarësisht se ka një kontratë koncecionare 35-vjeçare me shtetin shqiptar.

“DurrësLajm” kontaktoi Autoritetin Portual Durrës për të mësuar më shumë mbi këtë ndërhyrje në terminalin lindor, por deri në publikimin e shkrimit nuk kemi marrë përgjigje zyrtare.

M.B.