Lamtumira e Remeo Seminit
Nga BUJAR QESJA
Me 31 korrik 2023, në tokën e fqinjit tonë të lashtë Italisë, mbylli sytë për të mos i hapur kurrë Romeo Semini. Në pasditen e të mërkurës, 2 gusht 2023 në kishën e qytetit italian San Benedeto del Trento, u kryen shërbesat fetare, për të kaluar më pas arkivolin, në trupin e të ndjerit në thellësi të dheut të huaj.
Para 12 muajve, takohem rastësisht me të vëllain e Romit, Paskal Semini. Ai më dha lajmin tronditës, se Romeo Semini është prekur nga një sëmundje e pashërueshme.
Tentova të lidhem disa herë me të, por pa dobi. Sëmundja e tmerrshme, e kishte pushtuar tërësisht shokun tonë, sa nuk mund të lidheshim dot.
Dhe fataliteti ndodhi. Esmeralda, gruaja, Kristeli dhe Xhulia, fëmijët, Koçi dhe Paskali, vëllezërit tashmë në zi. Në moshën 61 vjeçare, njeriu më i afërt i tyre, i shpirtit dhe zemrës së tyre, nuk do të ngrihej më nga krevati i përjetësisë. Romi i tretur nga e keqja, brenda arkës së mortjes tretet pas kësaj në dheun e bekuar të Italisë adriatikase.
Trupi tretet, por shpirti mbetet. Nuk mund të tretet kujtimi për këtë njeri të respektuar, i cili pjesën e artë të jetës ia fali futbollit. E kam patur fqinj Romin dhe dëshirën për futbollin, ia lexova që herët. Me fizik të fortë e muskuj të lidhur, ky Rom i Seminëve nxiti pasionin për topkëmbën durrsake.
Luajti me të rinjtë e “Lokomotivës”.
Arsimimi i mesëm dhe i lartë, tërësisht kushtuar futbollit. Luajti vetë, por mësoi edhe gjeneratën e re. Kam qenë pjesë e të rinjve të futbollit të Durrësit, në Kazamasimo të Barit. Mbaj mbaj mënd disa emra, që u bënë futbollistë të njohur, ndër të cilët Dritan Babamusta dhe Edmond Kapllani. Turne i shkëlqyer në prezantim, sukses i plotë në atë çka u arrit. Meritë e padiskutueshme edhe e Romeo Seminit.
Në mesin e viteve 90-të, Romi emërohet Sekretar i Klubit të Futbollit ” Teuta”, kur futbolli durrsak bënte ligjin. Së bashku me Romeo Seminin, jemi ndodhur në Parma në vitin 1995, kur “Teuta” luante përballë Zolës së famshëm.
Aftësitë organizative dhe menazheriale të Seminit, ishin të lindura dhe mbetën investim konkret në përparimin e futbollit durrsak.
Prej 25 vitesh ndodhet në San Benedeto del Tronto, qytet ku mbetet përjetësisht trupi i tij. I prekur deri në palcë për këtë humbje, shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve dhe të afërmëve, për këtë humbje të konsiderueshme.
I paharruar miku im dhe i durrsakëve Romeo Semini!
Bujar Qesja
Voskopojë: 2 gusht 2023