Ramiz Muçollari, 62 vjeç, u ekzekutua paraditen e kësaj të shtune (12 gusht 2023) në banesën e tij në fshatin Qesarakë në Maliq.
62-vjeçari, i cili dyshohet se vuan nga problemet e shëndetit mendor, u ekzekutua nga forcat RENEA, pasi nuk ka pranuar të dorëzohet dhe ka hapur zjarr ndaj tyre.
RENEA kërkonte dorëzimin e tij, pasi një natë më parë, pas një debate me gruan Pëllumbesha Muçollari dhe djalin 27-vjeçar Kamberi, i ka sulmuar këta dy të fundit.
Gruan e ka sulmuar me thikë, ndërsa djalin me tytën e mitralozit, armë me të cilën bëri rezistencë dhe ndaj policisë, por në fund mbeti i vdekur.
Si nisi e gjithë ngjarja? Sherri në familje një natë më parë
Një natë më parë, në familjen e Ramiz Muçollarit u zhvillua një debat i ashpër në lidhje me këtë të fundit. Gruaja e tij dhe djali i kërkonin që të shtrohej në spital, për shkak të problemeve me shëndetin mendor. Një gjë të tillë, Muçollari e ka refuzuar kategorikisht, madje dhe është nervozuar sa ka goditur bashkëshorten me thikë dhe djalin me sende të forta, me qëllim vrasjen e tyre. Nënë e bir ndodhen në spital, ku po marrin ndihmë mjekësore.
Tentativa e policisë së Maliqit për të arrestuar 62-vjeçarin
Pasi policia është njohur me ngjarjen e rëndë, një grup efektivësh nga komisariati i Maliqit kanë shkuar drejt adresës së dhënë, ku kanë konstatuar të mbyllur në banesën e tij autorin Ramiz Muçollari, cili është i armatosur me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë kanë mbajtur të rrethuar banesën dhe kanë marrë masa sigurie, pasi 62-vjeçari ka hapur zjarr në drejtim të Policisë lokale.
Pas kësaj, është njoftuar RENEA, për ndërhyrje më të specializuar.
Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur Forcat Speciale “Renea”, të cilët në bashkëpunim me strukturat e DVP Korçë, si dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, kanë mbajtur të rrethuar zonën dhe kanë tentuar të negociojnë me 62-vjeçarin.
Përgjatë natës, Forcat Speciale “Renea”, i kanë bërë thirrje të pandërprera për t’u dorëzuar, por 62-vjeçari nuk i është bindur thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka vijuar të qëllojë me armë zjarri drejt Policisë.
Në mëngjesin e sotëm, Forcat Speciale “Renea”, kanë mundur të hyjnë deri në katin e dytë të banesës së shtetasit Ramiz Muçollari, i cili ishte ngjitur në papafingon e banesës dhe ka hapur zjarr në drejtim të Forcave Speciale “Renea”, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.
Forcat Speciale “Renea”, janë kundërpërgjigjur me zjarr dhe përreth një orë ka vijuar shkëmbimi i zjarrit.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, 62- vjeçari ka humbur jetën.