Prej disa ditësh, me Teutën në stërvitje është bashkuar edhe blerja e re, Ardit Iljazi. Lojtari ka vendosur të veshë fanellën e “djemve të detit”. Ky i fundit mbylli aventurën e tij me Erzenin, teksa sezonin e ri do të jetë një “durrsak”. Ardit Iljazi flet si lojtari i Teutës, ku fillimisht ndalet tek arsyet që e bindën të bashkohej me blutë, e më pas foli për ambientimin në ekip dhe objektivat që ka ai dhe skuadra.
Ardit, zyrtarisht lojtar i Teutës, kush ju bindi të vinit në Durrës?
Kam gati 10 ditë që jam pjesë e Teutës dhe më bindi serioziteti i presidentit dhe stafit teknik, ndihemi mirë, pasi edhe çunat në ekip më kanë pritur mjaft mirë.
Duke pasur të tjera oferta, pse zgjodhët Teutën?
Zgjodha Teutën, sepse është një klub me traditë dhe një ndër klubet më të mira në Shqipëri, besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur dhe do të jap maksimumin për këtë fanellë.
Keni një qëllim që erdhët te Teuta?
Pas ardhjes te Teuta kemi qëllim të përbashkët që të arrijmë objektivat e klubit, ndërsa qëllimi im personal është që të jemi në “top 3”-shen e renditjes.
Mendoni se do të përshtateni shpejt te Teuta duke njohur edhe ambientin?
Siç e thashë edhe më lart, më kanë pritur shumë mirë të gjithë shokët e ekipit dhe ma kanë bërë më të lehtë përshtatjen, por dhe ambienti që është në Durrës, të jep një komoditet të punosh e të ambientohesh shpejt.
Si e shihni Teutën e sezonit të ri, mendoni se do të arrini larg?
Jemi një grup lojtarësh të rinj me perspektivë dhe mendoj se do të arrijmë shumë qëllime edhe do të kemi sukses të përbashkët ekipor.
Prej ditësh jeni bashkuar me ekipin në stërvitje, si është gjendja juaj?
Gjendja imë është e mirë, dita-ditës po arrij të marr ngarkesën e duhur. Shyqyr zotit që deri më tani s’kam pasur asnjë shqetësim dhe jam në gjendje të kontribuoj për ekipin.