Shtyrja e ndeshjes me Partizanin i ka dhënë më shumë kohë Teutës për të korrigjuar ato probleme që ekipi ka shfaqur gjatë fazës përgatitore, e cila është shoqëruar me zhvillimin e shtatë miqësoreve. Duke qenë se takimi me “demat” nuk ka ende një datë dhe gjasat më të mëdha janë që Teuta të luajë fillimisht kundër Tiranës për javën e dytë, stafi teknik me në krye trajnerin Diego Longo, po punojnë në disa drejtime, për të mos i lënë asgjë rastësisë. Kësisoji, “djemtë e detit” do ta nisin kampionatin ndaj Tiranës dhe tashmë fokusi është te strategjia që do të ndiqet ndaj bardhebluve, të cilët për javën e parë luajnë derbin kundër Dinamos. Stërvitja e djeshme filloi me nxehje të lehtë, ku përgatitësi atletik, Mark Doda, bashkë me zv.trajnerët Ilir Biturku dhe Amadeo Di Late, vazhduan punën me futbollistët me disa ushtrime fizike.
Me grupin nuk është bashkuar ende mbrojtësi Harrallamb Qaqi, i cili doli i dëmtuar nga fusha në miqësoren me Egantian. Megjithatë, shtyrja e ndeshjes ndaj Partizanit i jep mundësi lojtarit të rikuperohet në kohë për kampionatin. Ndërsa mesfushori Erando Karabeci, tashmë është duke hyrë të ritëm të plote dhe dje ka zhvilluar një pjesë të mirë të ushtrimeve me grupin, e më pas ka bërë disa vrapime rreth fushës. Stili i lojës së Karabecit dhe fakti që Longo kërkon një qarkullim të dendur të topit, bën që mesfushori të jetë në planet e italianit dhe rikthimi i tij sa më shpejt me grupin, do të jetë një lajm pozitiv për stafin. Eksperienca e mesfushorit, për më tepër që është larguar edhe Emiliano Vila, është shumë e nevojshme.