Ledio Beqja është konfirmuar si një nga futbollistët më të rëndësishëm të Teutës. Ai pritet jetë pika kyçe e durrsakëve në mesfushë, teksa i rritur në akademinë e Teutës, është lojtari që e ndien edhe më tepër aktivizimin me skuadrën e zemrës, duke mbajtur shpesh edhe shiritin e kapitenit. Mesfushori ka komentuar shtyrjen e ndeshjes së parë me Partizanin, si dhe ka folur për startin e kampionatit, nga ku me shumë mundësi Teuta do ta nisë në shtëpi ndaj Tiranës, që është programuar në javën e dytë në kalendar.
Ledio, si është gjendja e skuadrës para fillimit të kampionatit?
Skuadra është në formë të mirë, pasi jemi stërvitur dhe kemi punuar shumë këtë periudhë. Në ekip janë bërë shumë ndryshime dhe lojtarët e ardhur gjatë merkatos janë në kondicionin e duhur, pasi kishin nevojë për kohën e tyre. Shtyrja e ndeshjes së parë na jep kohë më shumë të përgatitemi.
Sa do të ndikojë shtyrja e ndeshjes së parë ndaj Partizanit?
Mund të them se është diçka që ka dy anët e medaljes. Nga një anë, na jep ende kohë të njihemi më njeri-tjetrin, pasi siç e dimë në ekip janë bërë shume ndryshime. Por nga ana tjetër, do na duhet të plotësojmë fundjavën me ndonjë miqësore, që nuk është njësoj si një ndeshje zyrtare. Gjithsesi, duhet të pranojmë këtë situatë dhe të përgatitemi sa më mirë, me cilindo ekip që do të kemi përballë.
Ndeshja e radhës pritet të jetë ndaj Tiranës, sa e vështirë do të jetë për Teutën?
Ekipi është i motivuar gjatë gjithë kohës dhe i përqendruar për të bërë mirë në ndeshjen hapëse. Tirana është një ekip me shumë elementë cilësorë. Unë besoj se do të japim më të mirën në fushë, për ta nisur me një rezultati pozitiv. Natyrisht që në fushën tonë do të kërkojmë të marrim fitore, edhe pse na pret një ndeshje e vështirë.
Sa larg mund të shkojë kjo Teutë pas shumë ndryshimeve që janë bërë?
Do të luajmë gjithmonë për të fituar dhe ky është objektivi ynë i vetëm. Do të bëjmë gjithçka për të qenë ndryshe këtë sezon.
Në aspektin personal, çfarë prisni nga ky sezon?
Synimi im është që të bëj paraqitje më të mira se sezoni që lamë pas dhe së bashku me skuadrën të arrijmë objektivat që ka vendosur klubi.