Teutës pritet t’i bashkohet dhe ish-sulmuesi i Apolonisë, Mario Gjata, qendërsulmuesi fierak, i cili mbylli sezonin tek Apolonia në Kategorinë e Parë. Për momentin gjithçka është në fazën e bisedimeve dhe brenda pak ditësh pritet të zyrtarizohet gjithçka. Lojtari u afruar në fillim të korrikut te Teuta, por duke parë që ishte ende nën kontratë me Apoloninë, gjithçka mbeti pezull dhe gjithçka pritet të mbyllet në 3 ose 4 ditët në vijim. Në kampionatin e fundit, në 22 ndeshje të luajtura, shënoi gjashtë gola për fierakët, me të cilët ka qenë edhe në Superiore. Dy sezone më parë, shtatlarti ka qenë pjesë e Dinamos në elitë, por një dëmtim i rëndë bëri që të luante vetëm tri ndeshje.
Gjata mund të jetë pika e referimit në sulmin durrsak në sezonin e ri, pasi 22-vjeçari ka karakteristikat e një bomberi, që mund të shpërthejë në Superiore. Padyshim që me largimin e fundit, pritet të këtë afrime cilësore në një rol mjaft të rëndësishëm në udhëheqjen e repartit të sulmit për të përforcuar te Teuta po punojnë në fshehtësi. Diego Longo ka një tjetër Teutë këtë sezon, ndryshe nga ai ekipi që ishte sezonin që sapo u mbyll. Në fakt, Teuta kishte gjetur një stabilitet në 4 sezonet e fundit, ku lëvizjet nuk kanë qenë të shumta në merkato, duke bërë që secili trajnerët ta kishin pothuajse gati skuadrën. Ndërsa këtë sezon ndryshon “muzika”. Teuta është ribërë nga fillimi, duke pasur shumë lojtarë të rinj në dispozicion nga sezoni paraardhës.
Në fakt, kur skuadra vjen nga një sezon me oshilacione, ata që e pësojnë janë edhe vetë lojtarët, sepse nuk kanë qenë brenda pritshmërive. Një situatë e tillë ishte te Teuta këtë vit, sepse ekipi në një farë mënyrë bëri disi mirë në dy fazat e fundit. Nga një vëzhgim i bërë, baza e lojtarëve të Teutës aktualë që po punon sërish me Longon janë Harallmab Qaqi, Blerim Kotobelli, Artan Jazxhi, David Gjinollari, Ledio Beqja dhe Erando Karabeci. Këta kanë qenë lojtarë të rëndësishëm të formacionit, ashtu si edhe portieri Dema më pas, të cilët edhe këtë vit duket se do të jenë pikat kryesore në të cilat do të mbështetet tekniku.
Shtyrja e ndeshjes me Partizanin nuk ndal Teutën. “Djemtë e detit” programojnë një “triangolare” ndaj dy ekipeve pretendente të Kategorisë së Parë, Bylisit dhe Lushnjës. Ndeshjet do të luhet nga 45 minuta secila pra Teuta-Bylis dhe Teuta-Lushnja. Shtyrja e ndeshjes ka bërë që drejtuesit të punojnë edhe më shumë me lojtarët që janë ende mbrapa me përgatitjet fizike. Ky turne miqësore do t’i shërbejë të tre trajnerëve për të parë gjendjen e skuadrës. Në seancën e djeshme stërvitore prezent ishin të gjithë futbollistët. Ata po punojnë intensivisht që nga kjo javë të jenë gati. Vlen të theksohet se atmosfera brenda grupit të futbollistëve është mjaftë pozitive, gjithashtu te ta nuk mungon optimizmi dhe dëshira për t’u rikthyer sa më të fortë.