· Librat e saj, që janë botuar në Itali nga shtëpia prestigjioze “Bonfirraro Editore”, janë bërë pjesë e kurrikulës universitare italiane…

Shkrimtarja Ismete Lebaj përveçse një zë i njohur në letrat shqipe dhe një autore e suksesshme në vendin ku jeton në Itali, është bërë edhe një ndër zërat e ndërgjegjësimit të luftës kundër kancerit të gjirit dhe çështjeve të tjera sociale.

Si një grua që ka fituar betejën me këtë sëmundje të rëndë, si një artiste dhe aktiviste ajo e ka ndarë përvojën e saj me publikun, në një intervistë, duke përcjellë kurajën dhe energjinë e saj pozitive.

Ismete Selmanaj ka lindur në Durrës, por jeton në Itali. Ajo la Shqipërinë në vitin 1991 për një të ardhme më të mirë. Studimet e larta i ka përfunduar në Tiranë për Inxhinieri Ndërtimi, ndërkohë pasioni i saj më i madh ka qenë të shkruajë dhe të bëhet një ditë shkrimtare. Pas zhvendosjes në Itali, ajo e realizoi ëndrrën e saj. U bë shkrimtare dhe ka botuar shumë libra të cilat i gjeni italisht dhe shqip.

Ndonëse jeton larg atdheut, librat e saj si “Gjembi dhe trëndafilat”, “Virgjëri të vjedhura” “Fëmijët nuk kanë kurrë faje” etj., pasqyrojnë realitete shqiptare.

Jo vetëm kaq, por librat e saj, që janë botuar në Itali nga shtëpia prestigjioze “Bonfirraro Editore”, janë bërë pjesë e kurrikulës universitare italiane.

Ismetja është një grua e suksesshme në Itali. Ajo është nderuar dhe me shumë çmime dhe vlerësime prestigjioze, duke na treguar se të gjithë mund t’ia dalim, të realizojmë ëndrrat tona, nëse punojmë fort.

Por njeriu ashtu siç arrin shumë suksese, përballet dhe me vështirësi. E tillë ka qenë dhe për Ismeten, e cila u diagnostikua me kancer të gjirit në shkurt të 2016-s. Vendosmëria e saj për të luftuar dhe dashuria e madhe e mbështetja që ka pasur gjithmonë nga familja e saj e kanë bërë fitimtare kundrejt një armiku që pa zë të vjen dhe të kërcënon jetën. Sot ajo gëzon shëndet të plotë dhe historinë e saj e tregon si një mesazh të fortë për të gjitha gratë që po kalojnë në të njëjtën rrugë që ka përshkuar vetë, duke u dhënë kurajën se do ia dalin, njofton “abcnews.al”.