Konferenca shkencore 3-ditore ndërkombëtare DSD/SEAA 2023 startoi punimet ditën e sotme. Rreth 160 studentë dhe lektorë nga shumë universitete të Evropës dhe Ballkanit u mblodhën në Durrës për të diskutuar për 3 ditë me radhë mbi zhvillimet më të fundit në teknologjinë e informacionit.
Konferenca ndërkombëtare, për herë të parë u organizua në një vend të Ballkanit Perëndimor dhe një nga mbështetësit kryesorë ishte universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”, me Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit.
Prej mëse 50 vitesh konferenca organizohet nga Euromicro që është një organizatë ndërkombëtare shkencore, inxhinierike dhe arsimore e dedikuar për avancimin e arteve, shkencave dhe aplikimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Mikroelektronikës.
“Konferenca është e përqëndruar tek dizajni digjital, mikroelektronika dhe softueri.
Organizator i konferencës është një nga organizatat më të vjetra në Evropë, Euromicro. Kjo konferencë organizohet prej më shumë se prej më shumë se 50 vitesh dhe është hera e parë që mbahet në Ballkanin Perëndimor dhe më saktësisht në Shqipëri.
Tematika e kësaj konference do të fokusohet në zhvillimet teknologjike që lidhen me kompjuterat dhe pajisjet elektronike në tërësi”,– tha organizatori i saj profesor Radovan Stojanovic, nga universiteti i Malit të Zi.
Seria e Konferencave Euromicro për Inxhinierinë e Softuerit dhe Aplikacionet e Avancuara (SEAA) është një forum ndërkombëtar afatgjatë për studiuesit, praktikuesit dhe studentët për të paraqitur dhe diskutuar risitë, tendencat, përvojat dhe shqetësimet më të fundit në këto fusha.
Euromicro u themelua në vitin 1973, i frymëzuar nga teknologjia e mikroprocesorit në zhvillim. Që atëherë, Euromicro i është përkushtuar promovimit të kërkimit dhe transferimit të teknologjisë në fushën e tij, si dhe diskutimit dhe shpërndarjes së njohurive, informacionit dhe aftësive në akademi, industri, qeveri dhe në arsim.
M.B.





