Në raundin e parë të regjistrimeve në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit janë regjistruar pranë 5 fakulteteve 1187 studentë në ciklin e parë të studimeve Bachelor.

Programet studimore, ku është regjistruar numri më i lartë i studentëve të ardhshëm janë degët teknike mjekësore, ato që lidhen me Teknologjinë e Informacionit dhe disa degë të Fakultetit të Biznesit.

Burime zyrtare nga UAMD konfirmojnë për “DurrësLajm” se gjatë raundit të parë interesi më i madh i maturantëve ka qenë në degët Infermieri e përgjithshme, Mami, Programet studimore në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Shkenca kompjuterike.

Fakulteti i Biznesit vjen këtë vit të ri akademik me programin “Informatikë ekonomike”, që sipas të njëjtave burime regjistrimet deri më tani janë shumë të kënaqshme. Numër të lartë studentësh ka edhe në degët Financë- kontabilitet apo Administrim biznesi.

Interes të lartë dhe regjistrime ka pasur edhe për programet që ofrojnë diploma të dyfishta mes UAMD-së dhe universiteteve publike europiane me të cilat Universiteti i Durrësit ka firmosur marrëveshje.

Deri më tani, degët në të cilat gjatë raundit të parë të regjistrimeve numri i studentëve është relativisht i ulët janë vetëm dy programe: Histori dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Filozofi Sociologji.

Raundi i dytë i regjistrimeve nis më 15 shtator dhe përfundon më 17 shtator.

M.B.