Një operacion i gjerë antidrogë po zhvillohet këtë të enjte në Tiranë, Durrës dhe disa qytete të tjera të vendit. Prokuroria e Tiranës ka firmosur të paktën 112 urdhër-arreste dhe deri më tani janë ekzekutuar 70 prej tyre.
Po ashtu, deri në këto momente, raportohet të jenë sekuestruar mbi 3 kg kokainë. Ndërkohë gjatë operacionit është konstatuar edhe një lloj droge e re e cila vinte nga jashtë, kryesisht me postë.
Në këtë veprimtari kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, mësohet se ka edhe vajza të përfshira.
Përveç Tiranës, operacioni është zhvilluar edhe në qytete të tjera ku forcat e RENEA dhe FNSH kanë kryer kontrolle në Elbasan,Fier, Durrës e Korçë.
Hetimet për rastin kanë nisur afro 6 muaj më parë. Autoritetet mësohet e kanë dokumentuar këtë aktivitet kriminal me përgjime, duke i mbajtur në vëzhgim anëtarët dhe një pjesë edhe me blerje të stimuluara.