23 grupe të shpërndarjes së lëndëve narkotike janë shkatërruar në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë, në operacionin policor të koduar “Tempulli”.
Në një deklaratë për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha se operacioni vijon ende në të gjithë vendin, ndërsa në pranga kanë rënë 233 persona.
“Janë sekuestruar kanabis, kokainë, heroinë, ekstazi, armë zjarri dhe armë të ftohta, vlera monetare e aksesorë që shërbejnë për paketimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike”, tha Rrumbullaku.
Operacioni policor u zhvillua në kuadër të masave për garantimin e sigurisë në shkolla.
“Prej disa ditësh janë impementuar një sërë masha të reja, për sigurinë në shkollë. Një nga masat është parandalimi i shitjes së narkotikëve pranë shkollave. ‘Tempulli’ për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, bareve, lokaleve, restoranteve”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Trafikantët e fusnin hashashin në konserva dhe më pas e shpërndanin. Kanabisi që tregtonin ishte i prodhuar me llamba dhe kushtonte 3000 lekë, tre herë më shtrenjtë se kanabisi klasik.
Nga fillimi i vitit dhe deri më tani, sipas policisë, janë finalizuar 116 operacione lidhur me prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në vend, pas të cilave janë ndaluar, arrestuar dhe vënë nën hetim 1541 shtetas për shitje të drograve në afërsi të shkollave, në bare, lokale nate dhe në bregdet gjatë sezonit veror.
Në total, janë sekuestruar 829 kg kanabis (një pjesë e së cilës ishte përpunuar në formë kanabisi), 1.5 kg heroinë, 15.5 kg kokainë dhe 5.2 kg ekstazi.