Nën moton “Kurseni Energjinë”, edhe këtë vit Durrësi i është bashkuar “Javës Evropiane të Lëvizshmërisë”, e cila synon ndërgjegjësimin e qytetarëve për të përdorur sa më pak mjetet që ndotin mjedisin dhe të përqafojnë qasjet e reja të transportit alternativ, si dhe duket ecur ose pedaluar më shumë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiakja Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale, ku shkruan se bashkia e Durrësit do të organizoj një sërë aktivitetesh që do të nisin më 17 shtator dhe do të përfundojnë më 22 shtator.
Nëpërmjet kësaj jave me aktivitete, bashkia kërkon të promovojë dhe të ndërgjegjësojë komunitetin mbi rëndësinë e përdorimit të mjeteve alternative për një mjedis më të shëndetshëm për të gjithë.
Aktivitetet në Durrës do të zhvillohen sipas kalendarit të mëposhtëm:
-17 shtator 2023 – “Dita pa makina”: Pedaloni dhe kurseni energji”, nisja nga Sheshi “Liria”, ora 10.00
-19 shtator 2023 – Dita e ndërgjegjësimit për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe përdorimin e mjeteve alternative të transportit, me nxënësit e shkollave 9-vjeçare në qytet, ora 10.30
-20 shtator 2023 – Testimi i itinerarit për ecje/ngjitje: Fushë Draç – Kuraten (Ishëm), nisja nga Pallati i Sportit “Ramazan Njala”, ora 07.30
-21 shtator 2023 – Dita e punimeve artistike: Big Art Day, me nxënësit e shkollës artistike “Jan Kukuzeli”, dega pikturë, ora 10.30
-22 shtator 2023 – Dita informimit për tematikën e Javës Evropiane të Lëvizshmërisë 2023: Save Energy dhe rolin e Këndit të BE-së, Bashkia Durrës, me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Shaqe Mazreku”, ora 10.30.





