Elsa Ekonomi Hila është nga ato arsimtare, që siç e thotë edhe vetë u mësoi ABC-në mijëra nxënësve në Durrës.

Me një përkushtim 50-vjeçar në fushën e mësimdhënies, “zysh Elsa”, siç e njohin të gjithë, ishte mbrëmjen e së premtes protagonistja e dokumentarit “Elsa Ekonomi Hila – 50 vjet në arsim e komunitet, arritje për të nesërmen”.

5 dekada dedikuar arsimit, me po të njëjtën energji dhe përkujdesje si ditën e parë.

“O është rinia që më mban gjallë, o është dashuria dhe pasioni për mësimdhënien, mund të jetë edhe pak geni. Këto janë gjithçka që më bëjnë mua të ndihem mirë, të kem energji”,- tha Elsa Ekonomi për “DurrësLajm”.

Në shenjë nderimi për këtë përvjetor që pak kush mund ta mbajë mbi supe, “zysh Elsa” kujtoi së bashku me bashkëpunëtorët, kolegët, nxënësit dhe ish-nxënësit rrugëtimin e saj të gjatë në fushën e dijes. Momentet e vështira në arsim nuk kanë qenë të pakta, por ajo është udhëhequr gjithnjë nga një parim në jetë.

“Po të kujtoj ndonjë marrëdhënie me ndonjë nxënës të vështirë p.sh. kam gjetur një të bukur dhe të mirë brenda tij. E kam si parim timin: Tek njeriu ka gjithnjë një gjë të bukur. Gjatë 50 viteve, mund të kem mësuar minimumi gjysmën e Durrësit. Nxënësit e mi më të vjetër sot janë 62-63 vjeç”,– thotë Ekonomi.

Krahas kontributit të dhënë në arsimin publik, prej më shumë se 20 vitesh “zysh Elsa” drejton shkollën private “Mihal Ekonomi”, një angazhim ky jo thjesht në arsim, por edhe në komunitetin durrsak.

Akordimi i titullit “Mirënjohja e qytetit” nga shoqata “Durrësi Autokton” është një nderim më shumë për arsimtaren e palodhur.

Kalimi i pjesës më të madhe të kohës mes vogëlushëve dhe adoleshentëve, duket se e mbush Elsa Ekonomin me energji të reja. Ky 50 vjetor në arsim duket se nuk do të jetë gur finishi i saj.

“Them që po vazhdoj akoma. Nuk e di si do të jetë e ardhmja, por sot për sot ndihem mirë”,- thotë ajo.

M.B.