“Ka vetëm Inter” është himni i kënduar nga tifozët zikaltër para çdo ndeshjeje dhe në derbin e “Madonnina”, ndeshja e parë reale e madhe e sezonit me dy skuadrat milaneze nuk pati asnjë histori.

Inter shkatërroi Milanin me shifrat 5-1 dhe në fund pati festë edhe për shqiptarin Kristjan Asllanin, që u aktivizua në minutën e 80’.

Minutat kanë qenë të pakta për të në këtë sezon, por trajneri Simone Inzaghi, sqaroi se futbollisti i kombëtares kuqezi është shumë i rëndësishëm për zikaltrit.

Inzaghi deklaroi se zëvendësuesi i turkut Hakan Çalhanoğlu është Kristjan Asllani, për të cilin kanë refuzuar shumë oferta në merkato.

“Do ta shohim këtë, zëvendësuesi i Çalhanoğlu është Asllani dhe ai është një lojtar i rëndësishëm, të cilin e kemi dashur dhe që e kanë kërkuar shumë klube, sepse në një mesfushë si kjo nuk është e lehtë të gjesh hapësirë. Për mesfushorët kemi shumë lojtarë cilësorë. Herë pas here do të përpiqem të zgjedh më të mirën”, tha Inzaghi.