Çështja e emigrantëve është ende në plan të parë në Itali, pas vizitës së kryetares së KE-së, Ursula von der Leyen dhe kryeministres Giorgia Meloni në Lampedusa, teksa menaxhimi i këtij hotspoti të klandestinëve po bëhet gjithmonë e më urgjent.
Qeveria italiane pritet të vendosë sot mbi rregullin për zgjatjen e paraburgimit për riatdhesim deri në 18 muaj. “Kur flitet për emigrantët, tani duhet të kalojmë nga fjalët në vepra. Nevojiten veprime kur flasim për politikën e riatdhesimit, azilit, solidaritetit”, deklaroi kryetarja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.
Franca paralajmëroi se nuk do të marrë emigrantët nga Lampedusa”, ndërsa Berlini kërkon të “zgjerohet mbikëqyrja ajrore dhe detare e kufijve të jashtëm të BE-së”. Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin, pohoi hapur se nuk po përgatitet të presë emigrantë nga Italia, por dëshiron ta ndihmojë atë të kontrollojë kufijtë e saj për të parandaluar mbërritjen e klandestinëve.
“Do të ishte gabim të mendohej se emigrantët, sapo mbërrijnë në Europë duhet të shpërndahen menjëherë në të gjithë vendet e BE-së, përfshirë Francën”, tha ministri. Një ditë më parë, gjatë vizitës në Lampeduza, Von der Leyen, tha se autoritetet evropiane dhe jo trafikantët do të “vendosin se kush do të vijë në Bashkimin Europian dhe në çfarë rrethanash”.
Rreth 126,000 emigrantë kanë mbërritur në Itali këtë vit. Shifra është pothuajse sa dyfishi i një viti më parë. Lampedusa ka mbajtur barrën kryesore kohët e fundit, me mijëra prurje vetëm këtë javë, më shumë se popullsia e ishullit italian.