Një ekspozitë pak më e veçantë se të tjerat hapi dyert mbrëmjen e së martës në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia”.
Një fenonem mjaft i njohur shqiptar përgjatë viteve të tranzicionit erdhi nën këndvështrimin e një të huaji, që ka hulumtuar bregdetin tonë.
Po flasim për ekspozitën fotografike lëvizëse “Kioska – arkitekturë e përkohshme dhe mjedise të jetesës sociale në bregdetin shqiptar” të fotografit austriak Robert Pichler, me kurator Saimir Kriston.
Në të gjitha fotografitë e tij, artisti austriak sjell një copëz Shqipërie, një copëz nga tranzicioni ynë i vështirë dhe gjurma që ai la pas në bregdetin tonë, ku mes bukurisë së natyrës “mbinte” shpeshherë një kioskë apo një ndërtim.
Absurdi shqiptar ngre krye në thuajse çdo foto të Pichler-it duke na risjellë në memorie shumë nga fragmented panoramike që shumë prej nesh i kanë pikasur gjatë eksplorimit apo frekuentimit të vijës bregdetare të qyteteve shqiptare.
Ekspozita “Kioska” ka lëvizur në shumë qytete të vendit tonë, ndërkohë ndalesa e saj në Durrës do të jetë deri më 30 shtator.