Efektivët e repartit “Shqiponja” i kanë treguar grupit hetimor dinamikën e ngjarjes ku mbeti i plagosur kolegu i tyre Edlir Alleshi në zonën e Kinostudios në Tiranë, pasi u qëllua me armë nga 42-vjeçari Klered Bozhanaj.

Gazetarja e Tv Klan, Bleona Metushi, ka zbardhur dëshmitë e kolegëve të policit të plagosur.

Sipas gazetares, policët i kanë thënë grupit hetimor se kishin shkuar në zonën ku ndodhi ngjarja pas disa infomacioneve se në lulishten aty pranë po shpërndahej lëndë narkotike.

Gjatë kontrolleve kanë konstatuar shtetasin Klered Bozhanaj, i cili fillimisht ka qenë duke lëvizur me bashkëshorten e tij dhe sapo ka parë patrullat është larguar me vrap.

Efektivët e policisë tregojnë se ata i kanë thirrur duke i bërë shenjë që të ndalonte, por ai i ka ofenduar dhe ka vazhduar të largohej.

Efektivët i janë vënë pas deri në hyrjen e pallatit, kanë hyrë në ambientet e brendshme, aty ku 42-vjeçari qëlloi me armë dhe plagosi efektivin e repartit “Shqiponja” dhe u largua në këmbë.

Aktualisht autori i dyshuar Klered Bozhanaj vijon të jetë në arrati dhe në kërkim nga policia. Klered Bozhanaj është kthyer së fundmi nga Italia. Ai nuk ka precedent penal, ndërsa policia tha se është me probleme të theksuara depresioni.