Partizani e Tirana ishin gati të pranonin shtyrjen e duelit mes tyre, vetëm e vetëm që ta luanin në “Arenën Air Albania”, ku spektakli është më I garantuar në fushë e në tribuna, dhe ku të ardhurat financiare janë të pakrahasueshme me çdo impiant tjetër.
Kështu edhe ndodhi.
Federata Shqiptare e Futbollit pranoi kërkesën e dy klubeve që derbi i kryeqytetit të shtyhet.
Përballja e Superligës, e parashikuar për të martën e 26 shtatorit, do të luhet në 19 tetor në Stadiumin Kombëtar.
Shtyrja ishte e pashmangshme pasi në “Arenë” do të luajë kombëtarja në 12 tetor ndaj Çekisë në eliminatoret e Euro 2024, dhe pastaj miqësoren ndaj Bullgarisë në 17 tetor.
Fillimisht, u mendua se derbi do të luhej të martën në “Elbasan Arenë”, ose mund të mbahej edhe në stadiumin e Partizanit”, ndonëse nuk dihej nëse policia do ta jepte lejen për tek “Arena e Demave”.
Kohët e fundit kanë qenë të shumtë derbet e kryeqytetit që janë luajtur në Elbasan, përderisa “Arena Air Albania” është mbyllur shpesh për kombëtaren.