Fundjava ka qenë pozitive për lojtarët e Kombëtares shqiptare të impenjuar me klubet e tyre në Europë dhe jo vetëm. Shumica e kuqezinjve janë aktivizuar, duke qenë edhe protagonistë me klubet respektive.
Në Premier League, spikat rikthimi në fushë i sulmuesit Armando Broja, i cili ka qëndruar për 9 muaj jashtë fushave të lojës për shkak të një dëmtimi të rëndë. Sulmuesi i kombëtares u aktivizua në minutën e 79-të nga trajneri i Chelsea-t, Pochettino në sfidën ndaj Aston Villa.
Broja luajti për rreth 20 minuta, duke llogaritur edhe kohën shtesë, dhe u shfaq në formë të mirë fizike, ndonëse nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës. Një lajm i mirë për stafin teknik kuqezi dhe të gjithë tifozët me sulmuesin që mund të jetë i gatshëm për sfidat e Kombëtares në tetor.
Në Serie A italiane, ndeshja më e veçantë e të dielës për shqiptarët ka qenë Empoli-Inter. Për vendasit në formacionin titullar ishin portieri Etrit Berisha, mbrojtësi Ardian Ismaili dhe sulmuesi i talentuar, Stiven Shpendi. Në anën tjetër, Kristjan Asllani ishte në stolin e rezervave të skuadrës zikaltër.
Një takim shumë i balancuar që përfundoi me fitoren e Interin, ndërsa Ismajli ishte një nga më të mirët në fushë deri në minutën e 51-të, ku u zëvendësua për shkak të një problemi muskular. Vlerësime të mira edhe për paraqitjen e Berishës dhe Shpendit, ndërsa Asllani nuk u aktivizua për asnjë minutë.
Po në Itali, po këtë herë në Serie C, binjaku tjetër Kristian Shpendi ka lënë gjurmë këtë fundjavë, duke shënuar për Cezena-n që fitoi 0-4 në transfertë ndaj Fermanës. Goli i dytë radhazi në kampionat për sulmuesin e Kombëtares shqiptare U-21, i cili ishte protagonist edhe në fitoren e madhe me përmbysje 3-2 ndaj Rumanisë më 12 shtator në “Elbasan Arena” për kualifikueset e Europianit U-21.
Në Poloni, dy shqiptarët Ernest Muçi dhe Jurgen Çelhaka janë aktivizuar këtë javë me Legian, që arriti të merrte një fitore 2-1 ndaj Gornik Zabrze, ndërsa edhe Jasir Asani ka luajtur titullar për Guangju FC në Korenë e Jugut pa mundur të shënojë këtë herë.
Në SHBA, Xhakomo Vrioni ka qenë protagonistin në MLS, duke dhënë një asist për skuadrën e tij në barazimin 2-2 ndaj Chicago e që i dha mundësi New England Revolution të kalojë në play-off.





