Porti i Durrësit vijon të mbajë performancë të lartë të përpunimit të mallrave, ndërsa sektori i konteinerëve është duke njohur rritje sistematike.

Nga të dhënat statistikore të Autoritetit Portual Durrës, gjatë 8 muajve të parë të vitit 2023, në katër terminalet portuale janë përpunuar në total 923 mjete lundruese, të cilat kanë transportuar në rrugë detare  rreth 2 milionë e 400 mijë tonë mallra.

Peshën kryesore të volumit të mallrave të përpunuara e mbajnë importet me 1,5 milionë tonë mallra, ndërsa eksportet zënë rreth 837,720 tonë, ose përkatësisht në masat 64% dhe 36%.

Po të njëjtat burime saktësojnë se volumin më të madh të mallrave e mban Terminali i Konteinerëve,  i cili ka reflektuar rritje në masën 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.  

Në Terminalin e Trageteve po ashtu  ka një rritje progresive, ku gjatë periudhës janar-gusht janë regjistruar 622,188 pasagjerë, ose 5% më shumë se janar-gusht i vitit 2022.

Sipas të dhënave zyrtare të APD-së, mësohet se 690 tragete dhe 223 anije tregtare janë përpunuar përgjatë kësaj periudhe, të cilat kanë sjellë në vendin tonë pasagjerë dhe mallra të ndryshme.

Gjithashtu përgjatë kësaj periudhe rritja është reflektuar dhe në numrin e automjeteve, trajlerave dhe kamionëve të përpunuar në Terminalin e Trageteve me 10 për qind më shumë se sa periudha pararendëse.