Prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu, është marrë në mbrojtje nga institucionet pas dyshimeve se grupi i Laert Haxhiut do të kryente atentat ndaj saj.
Sipas TvKlan, është njoftuar Policia e Shtetit dhe Këshilli i Prokurorisë që të përcaktojnë mbrojtjen për prokuroren dhe familjen e saj. Musabelliu është prokurorja e cila ka në dorë dosjen e Laert Haxhiut për atë që njihet si “masakra e Lushnjes”.
Në këtë ngjarje të rëndë, në shtator të vitit 2017 u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha. Për këtë çështje në shkallë të parë është dënuar me burgim të përjetshëm Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi.
Laert Haxhiu ndodhet i burgosur në Greqi. I konsideruar si person i shumëkërkuar nga policia shqiptare, ai u kap në Janinë në maj të këtij viti.
Haxhiu po lëvizte me një makinë BMW, kur u arrestua nga autoritetet atje, së bashku me dy shqiptarët e tjerë. Por përpara se të viheshin në pranga, ata tentuan t’i iknin policisë greke. Gjatë kësaj kohe përplasën të paktën 3 makina të tjera e më pas përfunduan duke goditur edhe një bordurë. Krahas arrestimit, policia u gjeti 3 shqiptarëve dhe 1400 Euro.
Laert Haxhiu ishte në kërkim që prej vitit 2017, kohë kur u dënua fillimisht nga Gjykata e Lushnjes me 18 vjet burgim për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, si autor i një ngjarje në 2016 ku mbetën të plagosur dy persona.
Ngjarje kjo që si zanafillë ka hakmarrjet që lidhen me konfliktet e vjetra të bandës së Lushnjes. Sakaq Haxhiu gjithashtu rezulton person i përfshirë edhe në çështje të trafikut drogës në Shqipëri dhe i dënuar nga Gjykata e Durrësit.
6 vrasje, 5 shpërthime me tritol, grabitje me dhunë dhe 3 tentativa për kryerje vrasjesh janë zbardhur nga Policia e Shtetit falë të penduarit, Artan Tafani. 39-vjeçari është anëtar i grupit të Laert Haxhiut, kundërshtar i Aldo Bares dhe ka zbuluar 19 ngjarje të rënda kriminale.
Tafani u arrestua para një jave për vjedhjen e 30 mije eurove në një pikë të këmbimit valutor në zonën e Astirit, krim i ndodhur para 3 muajsh.