Raundi i dytë i Kupës Evropiane të Klubeve nisi me lëvizjen e parë ceremoniale nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut Erald Dervishi në emër të 5 herë kampionit dhe numrit 1 në botë, Magnus Carlsen.

Lufta sportive dominonte pothuajse në të gjitha fushat e lojës, ndërkohë që nga grupi i femrave vetëm 4 ekipe kanë pikë të plota, mes të cilave është dhe ekipi i Teutës, ku fitorja i dedikohet 2 lojtarëve polake.

Pjesë e ekipit të Teutës është dhe shahisti 13-vjeçar Mateo Boçi, i cili në Evropianin e 14-vjeçarëve mori medalje bronzi. Në eventin që po mbahet në Durrës, ai synon një paraqitje sa më të mirë dhe pse jo dhe medalje.

“Të kem rezultate pozitive me kundërshtarë të fortë, kur të rris edhe pikët në kombëtare, pasi është një eveniment shumë i rëndësishëm”, tha Mateo.

Shumë shahistë kanë udhëtuar nga shumë larg, por ata janë mjaft të kënaqur me organizimin dhe mbarëvajtjen e eventit.

“Na u bë qejfi kur dëgjuam, se do të kishim mundësinë të vinim këtu për Evropianin e Shahut. Ne i ndjekim shpesh këto turne, vitin e shkuar ishim në Mal të Zi dhe këtë vit jemi këtu. Është gjë shumë e mirë, që me atë rast kemi mundësinë të vizitojmë vende të ndryshme. Organizimi shumë i mirë, gjithçka është perfekte. Çfarëdo që kemi kërkuar na e kanë realizuar”,- thotë një shahist nga Lituania, .

Ky është edicioni i 38-të i Kupës Europiane të Shahut për meshkuj dhe Kupës së 27-të europiane të klubeve për femra. Në garë janë 110 ekipe nga 34 Federata Europiane, ndërsa Shqipëria prezantohet me 6 ekipe.

M.B.