Orkestra e harqeve “Aleksandër Moisiu” në takimin Kombëtar të Muzikës së Dhomës dhe Orkestrave të Harqeve u vlerësua me dy çmime të para. Juria vlerësoi punën e të gjithë instrumentistëve të drejtuar nga dirigjenti Petrika Afezolli, për interpretimin me nivel mjaft të lartë artistik duke e nderuar me çmimin “Orkestra më e mirë”.

“Krahas çmimit si orkestër, u vlerësua si “Solistja më e mirë” violinistja shumë e talentuar Laura Llozi. Indirekt, vlerësimi për të nga juria dhe bashkëpunimi i saj me ne është një akt jashtë mase sinjifikativ.”,- tha dirigjenti Petrika Afezolli.

Në këtë takim kombëtar të muzikës së dhomës në qytetin e Elbasanit, orkestra e harqeve të Durrësit interpretoi simfoninë e njohur të kompozitorit Dmitri Shostakovich, e cila u prit mjaft ngrohtë nga publiku.

“Në momentin kur u prezantuam në Elbasan me këtë vepër, kolegët na thanë: Petrika, është hera e parë që në Elbasan ka rënë kjo lloj qetësie. Impakti në publik ishte absolut”,- tha dirigjenti i orkestrës.

Megjithë profesionionalizmin e treguar nga të gjithë anëtarët ndër vite të orkestrës së harqeve dhe çmimeve të shumta të marra që nga viti ’80 kur u themelua, instrumentistët vuajnë indiferencën shtetërore. Një nga 3 themeluesit e kësaj orkestre, Moni Kuriçi vë në dukje shpërblimet e munguara.

“Që nga themelimi i saj ka pasur raste kur jemi lënë fare jashtë pagesave dhe ne me frymë, me idealizëm e kemi mbajtur këtë orkestër. E vërteta është që gjatë gjithë kësaj periudhe më shumë kemi qenë të papërfillur, sesa të vlerësuar.”

Aktualisht Orkestra e Harqeve të Durrësit përbëhet nga 20 instrumentistë së bashku me dirigjentin e saj. Së shpejti pritet të miratohen kontratat dhe rregullorja e funksionimit të orkestrës dhe honoraret respektive për çdo anëtar të saj.

“Besoj se jemi në rrugë të mbarë që në momentin që po presim miratimin e kontratave dhe rregullores, e cila do të qartësojë marrëdhëniet e individit, instrumentistit dhe të gjithë orkestrës në marrëdhënie me institucionin, por edhe me bashkinë. Me t’u bërë rregullorja dhe kontratat, në mënyrë progresive duhet të vijë edhe pjesa e honorareve, që besojmë që do të kenë rritje dhe shpresojmë se me kalimin e kohës do të shkojnë aty ku duhen”,– tha Olta Juba, përfaqësuese e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”.

M.B.