Këto ditë, Durrësi ka pasur disa vizitorë të veçantë. 10 nxënës dhe 2 mësues nga shkolla profesionale e Kragujevacit, në Serbi kanë qenë të ftuar në shkollën profesionale “Beqir Çela” në Shkozet.
“Shkëmbimi mes dy institucioneve arsimore realizohet në kuadër të projektit “Ryco Superschool”, i cili ka për qëllim dialogun midis shkollave, studentëve dhe komuniteteve të tyre nëpërmjet shkëmbimeve të shkollave të Ballkanit Perëndimor, bashkëthemeluar nga BE dhe BMZ (Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik), si dhe zbatimin nga GIZ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit) së bashku me Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO)”,- bën të ditur drejtori i shkollës, Fatmir Merkuri.

Vizita e nxënësve serbë ishte faza e dytë e projekit, pasi në maj nxënësit nga shkolla “Beqir Çela” u mirëpritën nga partnerët e tyre në Serbi. Për nxënësit serbë, kjo vizitë në Durrës është një eksperiencë e veçantë.
“Isha shumë e gëzuar që do të vizitoja Durrësin, sepse doja të takoja miqtë shqiptarë, me të cilët isha njohur, kur ata erdhën në Serbi. Po më pëlqen shumë Durrësi, deti është shumë i bukur, por nga ana tjetër po forcojmë miqësinë me nxënësit shqiptarë”.
“Isha skeptik herën e parë, kur dëgjova se do të vinim në Shqipëri, në një vend kaq larg shtëpisë. Por nga ana tjetër isha i lumtur, sepse doja të takoja njerëz të rinj. Aktualisht po kalojmë shumë mirë dhe dua të vi sërish në Durrës”,- thanë disa nga nxënësit serbë.

Në këtë projekt kanë qenë të ndërthurura workshopet me aktivitete kulturore. Vizita të veçanta, nxënësit serbë zhvilluan edhe në bashkinë e Durrësit dhe pranë Autoritetit Portual Durrës.