Dy nga simfonitë më të njohura të gjigandëve të muzikës botërore Mozart dhe Bethoven u luajtën mbrëmjen e së premtes në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Orkestra simfonike e Forcave të Armatosura interpretoi me mjaft profesionalizëm simfoninë 40 të Mozartit dhe simfoninë e 5-të të Bethovenit duke dhuruar për të pranishmit emocione dhe performancë të lartë artistike.

Dy dirigjentët e orkestrës na rrëfejnë më shumë detaje për vitin e parë të jetës së këtij formacioni artistik.

“Po hapim stinën koncertore me këtë koncert në Durrës, me program nga më të mëdhenjtë e muzikës, siç janë Bethoven dhe Mozart. Është standarte që çdo orkestër simfonike të ketë në repertorin e saj këtë simfoni të famshme”,– thotë dirigjenti Laert Qazimi.

“Shumica janë të rinj, pasi para një viti kur u krijua orkestra duhej që mosha maksimale të ishte 27 vjeç. Prandaj të gjithë anëtarët janë të rinj, nën moshën 27-vjeçare”,– deklaron dirigjenti tjetër Harlen Nikolli.

Koncerti i orkestrës simfonike të FA u mirëprit nga publiku durrsak që duartrokiti perfomancën e 45 instrumentistëve të rinj.

Dirigjenti i njohur Petrika Afezolli, që i ka pasur nxënës në Akademinë e Arteve të gjithë anëtarët e orkestrës shprehet i kënaqur me punën e madhe të bërë dhe nivelin artistik të treguar në skenë.

“Kjo orkestër, që quhet e re sepse dhe studentët janë relativisht në moshë të re, ka një nisje shumë të mirë. Pavarësisht moshës, dëshira për t’u promovuar u rrit përgjegjësinë profesionale dhe artistike”.

Pas Tiranës, Korçës, Shkodrës dhe Durrësit, orkestra simfonike e FA-së pritet të udhëtojë për të dhënë koncerte dhe në qytete të tjera të vendit.

M.B.