Të premten, më 16 tetor 2020, ora 12.30, në hyrje të stacionit detar “San Vito”, brenda portit të Barit, kryebashkiaku Antonio Decaro do të zbulojë pllakën përkujtimore kushtuar Florian Mesutit, 24-vjeçarit nga Durrësi, i vrarë barbarisht më 29 gusht 2014, pasi u përpoq të mbronte një nënë dhe djalin e saj nga sulmi i një grupi djemsh në lagjen Libertà.

Në ceremoni do të marrin pjesë zëvendëskryetari i Bashkisë së Durrësit Florian Tahiri, prefekti i Durrësit Roland Nasto, konsullja e përgjithshme e Shqipërisë në Bari Gentiana Mburimi dhe presidenti i autoritetit portual Ugo Patroni Griffi, njofton portali “giornaledipuglia.com”.

Teksti i pllakës, i hartuar nga kinoregjisori i shquar shqiptar Piro Milkani, është përkthyer në italisht nga Alma Hado, profesore e studimeve italiane: pllaka tregon tekstin në të dy gjuhët për të kujtuar lidhjen e thellë midis popullit shqiptar dhe qytetit të Barit në një vend zbarkimi dhe nisjeje midis dy brigjeve të Adriatikut.

Th.M.