Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer më së miri ekipit të Teutës. Kjo, pasi, përveçse ka pasur mundësinë të përgatitet më së miri sa i përket rritjes së formës fizike, ka dhe harmoninë në favor. Mbrojtësi i bluve, Artan Jazxhi, ka analizuar gjendjen e ekipit, ndërsa ka shprehur dhe synimet për sfidën e radhës, të cilën do ta zhvillojnë ndaj Dinamos.
A po ju shërben kjo ndërprerje kampionati dhe si po shkon gjendja e ekipit?
Kjo ndërprerje ishte perfekte për lojtarët që nuk ishin ende në formën më të mirë, pasi po u jepet mundësia dhe kohë që të rimarrin veten pas ndeshjes së fundit. Mendoj që deri diku po na shkon për shtat kjo pauzë, ndërsa sa i përket gjendjes, mund të them se jemi në formë shumë të mirë, “shyqyr” zotit të gjithë çunat janë duke u stërvitur me dëshirë dhe pasion.
Rikthehet kampionati pas një jave për Teutën, ku luani përballë Dinamos. Çfarë prisni nga kjo ndeshje?
Pres vetëm që të fitojmë dhe bëjmë një ndeshje të mirë. Duhet të rikthehemi te fitorja dhe të kemi vazhdimësi të rezultateve të mira.
Duke qenë se keni pësuar plot 11 gola në 7 javë, a do të ishit i kënaqur me një fitore apo barazim pa pësuar gol?
Unë do të isha i kënaqur të bënim një ndeshje të mirë dhe të fitonim. Rëndësi ka që të shënojmë gola, edhe pse dihet që është një ndeshje që ka specifikën e saj. Gjithsesi, e rëndësishme është fitorja. Normale që gjëja më e mirë do të ishte sikur të triumfonim pa pësuar gol, por në futboll ndodh edhe që të pësosh. Është një takim i fortë që pritet çfarëdo lloj rezultati.
Kujt i bëjnë më shumë punë pikët?
Nuk dua të mendoj për kundërshtarin, pasi asnjëherë nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Ne mendojmë vetëm për veten tonë dhe kjo na ka bërë të ecim përpara. Na nevojitet mjaft ky trepikësh, pasi duam të ngjisim shkallët në renditje. Vendi ku jemi në kampionat nuk i shkon për shtat Teutës.
Pas 7 javësh, cili është kundërshtari që do ta quanit më të fortë?
Sigurisht që këto shtatë javë, skuadrat janë në një nivel dhe do të luftojnë me njëra-tjetrën. Është kampionat i balancuar dhe do të triumfojë ai që do të ketë formën më të mirë. Por 3-4 skuadra do të luftojnë së bashku.