Quhet “Dritë ne rilindjen e Venecias”, ekspozita personale me 7 vepra e skulptorit Helidon Xhixhës, i lindur në Durrës në një familje artistësh, me një karrierë ndërkombëtare. Skulptura në çelik, metal industrial me sipërfaqe si pasqyrë që reflekton qytetin e Venecias. Televizioni italian i ka kushtuar një kronike të posaçme ekspozitës së skulptorit shqiptar, i cili me veprat e tij i ka dhënë një ndriçim më shumë Venecias.
“Gjithmonë jam përpjekur të përjetësoj veprat e mia nëpërmjet dritës. Në kohët e errëta, ne kemi nevojë për dritë. Kjo ndodh si në Venecia ashtu dhe gjithë botën, kur ne lundrojmë në pasiguri, arti që ka pasur gjithmonë një rol të rëndësishëm duke treguar gjithmonë të vërtetën. Dhe ajo që dua të tregoj unë nëpërmjet dritës të artit tim, është rilindja e Venecias.”
Është një lidhje e fortë ajo mes Xhixhos dhe Venecias. Në bienalen e 2015, ka sjellë “Ajsbergun” një skulpturë të vendosur në kanalin e Madh, një vepër që denoncon me forcë ndryshimet klimatike, nëpërmjet një arti që pasqyron realitetin.
“Arti ia del mbanë gjithmonë. Edhe pse është një periudhë izolimi, kur të gjithë janë kaq të frikësuar për të ardhmen, për të nesërmen, artisti është ai që bën gjithmonë një hap përpara”,- thotë Xhixha.
Ekspozita “Dritë në rilindjen e Venecias” do te qendroje e hapur deri më 20 dhjetor.