Kroçiera “Seven Seas Navigator”, me gjatësi 173 metra dhe gjerësi 25 metra, u ankorua mëngjesin e kësaj të hëne në kalatën 5 të portit të Durrësit.

Nga Autoritetit Portual Durrës mësohet se kroçiera ka 437 udhëtarë gjithsej, 192 prej të cilëve janë qytetarë të SHBA, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga 22 vende të ndryshme të botës.

21 autobuzë turistikë janë nisur tashmë nga Durrësi në destinacionet e parashikuara, kryesisht qendra historike dhe muzeale në qytetet e Krujës, Beratit, Tiranës dhe Durrësit.

Kroçiera “Seven Seas Navigator” do të vijojë lundrimin sot në mbrëmje drejt Dubrovnikut, (Kroacisë)/

3 ditë më parë, kryeministri Rama njoftoi se brenda pak ditësh portin e Durrësit e kanë vizituar 4 anije turistike, ndërsa priten dhe 4 të tjera deri në fund të muajit tetor.

“4 anije janë ndalur gjatë ditëve të fundit në Portin e Durrësit, ndërkohë që edhe 4 të tjera janë planifikuar të vijnë deri në fund të tetorit me rreth 2.600 turistë të huaj, duke shënuar kështu një ndër muajt me volumet më të larta të turizmit përmes kroçierave dhe jahteve”,– shkruante Rama në rrjete sociale.