Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe ambasadorja e Francës në Tiranë, në prani të Kryeministrit Rama dhe Presidentit francez Emanuel Macron nënshkruan marrëveshjen “Në lidhje me forcimin e bashkëpunimit policor në fushën balistike”, e cila synon të përmbushë një nevojë për shkëmbimin operacional të informacioneve kriminalistike balistike.

Kjo marrëveshje do të jetë një instrument më tepër në luftën kundër krimit të organizuar, përdorimit të armëve të vogla e të lehta si dhe identifikimit të autorëve të mundshëm pavarësisht vendit ku kryejnë veprën penale.

Marrëveshja parashikon që shërbimet kompetente balistike të të dy vendeve, të shqyrtojnë mënyrat e vendosjes në rrjet të skedarëve të tyre kombëtar të identifikimit balistik, njëherësh duke zbatuar procedura që garantojnë besueshmërinë dhe cilësinë e të dhënave të shkëmbyera. EUROPOL do të jetë e ftuar gjithashtu të ndjekë punimet franko-shqiptare, në kuadër të projektit të krijimit të një Hub-i balistik, brenda saj, thuhet gjithashtu në një nga pikat e marrëveshjes së nënshkruar.