Një takim dedikuar historikut të teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe arkivës së tij bëri bashkë shumë nga anëtarët e Klubit Rotarian Durrës dhe 3 personalitete, që kanë lënë gjurmën e tyre në këtë teatër.

Ish-drejtori Bashkim Hoxha dhe dy ish-arkivistët Luan Jaupi dhe Gëzim Domi ishin të ftuarit e kësaj nate të organizuar nga presidenti i radhës së Klubit Rotarian Durrës, Jonadri Prodani, ku rrëfyen mes emocionesh shumëçka nga historiku i lavdishëm i këtij institucioni, por edhe momentet e vështira të tij.

Megjithëse ka një teatër që sapo ka mbushur 70 vite jetë, gjurmët më të vjetra të jetës teatrore në Durrës shtrihen shumë larg në kohë.

“Zakonisht në Durrës përmendim amfiteatrin si vlerën më të madhe arkeologjike tonën. Por dokumentet tregojnë që ka pasur jo vetëm amfiteatër gladiatorësh, por edhe teatër për shfaqje teatrale. Janë zbuluar maska të aktorëve që luanin në teatrin antik, që mendohet të ketë qenë si i Butrintit””,– tha ndër të tjera gazetari dhe shkrimtari Bashkim Hoxha.

Hoxha kujtoi si një nga periudhat më të suksesshme të jetës teatrore vitet ’80 të shekullit të kaluar.

Do të ishin vitet ’90, kur teatri pësoi goditjen e parë të fortë, ku brenda një dite u shkarkuan nga puna 26 aktorë, duke reduktuar ndjeshëm trupën. Dëmtime pësoi në atë kohë dhe arkiva. Ish-arkivisti Luan Jaupi kujton nga ajo kohë shumë detaje.

“Jam ndoshta nga personat e vetëm në Shqipëri, që ruaj arkivën dhe u jap shumë vlerë gjërave të vjetra. Të njëjtën punë kam bërë dhe në teatër. Atje kam gjetur materiale shumë të vjetra, me pisllëkun që kishin zënë me kohën. I kam pastruar, rregulluar dhe skanuar. Është bërë një punë shumë e madhe atje. Kam shkuar tek të gjitha familjet e aktorëve dhe regjisorëve të teatrit, nga ku kam marrë foto, dokumente si e si që ta zmadhoja arkivën që ishte e rrënuar fare”.

Ndërkohë, për pasardhësin e Jaupit në këtë detyrë, fotografin e njohur Gëzim Domi, pluhuri i arkivës mbart një domethënie të veçantë, sepse është një dëshmi e vlerave të jashtëzakonshme të historikut të këtij institucioni.

“Prekja vjetërsinë dhe atë pluhurin, që me thënë të drejtën më kujtonte që kishin një vlerë të veçantë vetëm po t’i prekje, jo më t’i shfletoje e lexoje. Kam bërë të gjithë skanimin, kam digjitalizuar mbi 300 dosje me vlera të jashtëzakonshme, foto përrallore”.

Më pas, të pranishmit patën mundësi t’u drejtonin pyetje dhe të bashkëbisedonin me të ftuarit për aktorët, regjisorët, por edhe shumë anëtarë të tjerë të stafit, që me kontributin e tyre kanë krijuar ndër vite një repertor aq të pasur veprash, duke e ka renditur teatrin e Durrësit në elitën e trupave  teatrore kombëtare.

M.B.