Ato që mendoheshin se mund të ishin fragmente të mureve fortifikuese në pjesën lindore të Durrësit nuk kanë rezultuar të tilla. Ekspedita një mujore e Institutit të Arkeologjisë, e drejtuar nga arkeologia Brikena Shkodra, ka zbuluar fragmente muresh të një periudhe më të hershme sesa shekulli VI e.s., por ato rezultojnë të grabitura e dëmtuara rëndë.
“Ajo që ndeshim janë muret që kanë ekzistuar në hapësirë para shekullit VI e.s. Ato rezultojnë të jenë prishur, grabitur masivisht deri në zhdukjen e tyre nga të parit. Kjo ka ndodhur në fillimin e shekullit VI. Mbi këto mure të prishura është përshtatur një hapësirë tjetër, më e gjerë në përmasa, një dysheme masive e shtruar me pllaka qeramike dhe një pilastër qendrore, që është në qendër të këtij organizimi të ri të një dyshemeje të hapur”,– thotë arkeologia Shkodra.

Nisur nga zbulimet e viteve më parë, kur në afërsi të kësaj zone është gjetur një mozaik i periudhës antike, arkeologia Shkodra dyshon se muret e gjetura mund t’i përkasin vilave luksoze të kësaj zone.
“Muret më të hershme që ne i gjejmë të grabitura tashmë duhet të lidhen me banesat e përiudhave më të hershme, atë romake apo post romake. Ne kemi të dhëna të vilave dhe njëra prej tyre është një vilë luksoze e zbukuruar me mozaik, që ndodhet shumë pranë. Kjo hapësirë e qytetit ka qenë e banuar dhe ka pasur infrastrukturë jashtë urbane vilash luksoze.”

Vërtet arkeologia Shkodra nuk gjeti muret fortifikuese të qytetit, por rrënojat arkeologjike të zbuluara gjatë gërmimeve tek Pallati i Sportit “Ramazan Njala” kanë një veçori krejt ndryshe nga pjesa tjetër urbane e Dyrrahut antik.
“Ndryshe nga çfarë ne dimë nga qendra urbane e qytetit së pari strukturat pararendëse ripërdoren në të njëjtën kohë, në fillimin e shek.VI e.s. dhe mënyra sesi ripërdoren përgjithësisht ka sjellë të dhëna për fraksionim, d.m.th. zvogëlim të hapësirave më të hershme. Ndërkohë këtu ndodh e kundërta; strukturat më të hershme braktisen tërësisht dhe zhduken nga mundësia e të parit dhe krijohet një hapësirë më e madhe”.
Vitin e ardhshëm, arkeologia Shkodra synon të rikthehet sërish në të njëjtin vend, por këtë herë me gërmime të spostuara pak më në perëndim.
Qëllimi sërish mbetet zgjidhja e misterit për muret fortifikuese në pjesën lindore të qytetit, për të zbuluar shtrirjen kronologjike dhe topografike të tyre.
M.B.





