Një mbrëmje plot magji dhe iluzione ishte ajo e së martës në teatrin e Durrësit.

Akrobatët e cirkut “Colorado”, të Dibrës së Madhe, performuan para dhjetëra syve kureshtarë.

Me ndjekës të të gjitha moshave në publik, më të lumturit ishin fëmijët, që për pak minuta mundën edhe të shijonin magjinë e skenës.

“Nuk kam fjalë për Durrësin, është shumë artdashës, tamam ambient teatri dhe kulture.”,- thotë organizatori Bekim Ame.

Kjo gjallëri e publikut finalizoi me sukses ditë të tëra pune, të cilat, siç na tregon organizatori, nuk janë dhe aq të lehta.

“Thembra e Akilit” për ta mbetet kurdoherë mbështetja, dhe këtu nuk e kemi fjalën për atë financiare.

“Ne vijmë me të gjitha shpenzimet, nuk kemi përkrahje, madje as nuk kemi kërkuar, sepse ia kemi dalë vetë. Ne duam vetëm të na mundësojnë që të bëjmë njoftime nëpër shkolla, sepse kanë nevojë fëmijët për argëtim.”,- thotë Ame.

Një “merak” i madh është po ashtu edhe bashkimi në një grup më të madh me shqiptarët e Shqipërisë.

Këtë e pohon një prej magjistarëve, si dhe vetë organizatori.

“Është hera e dytë ose e tretë që vij në qytetin e Durrësit. Ky vend është shumë i bukur, e dua Shqipërinë. Pse jo, mos të kemi një grup të përbashkët? Kështu s’do të ketë kufinj, të paktën në art.”,- thotë magjistari Sashko Smillkov.

“Ne dëshirojmë që të kemi një bashkëpunim dhe me akrobatë të Shqipërisë, që dhe kjo trupë të jetë pjesë e cirkut të Maqedonisë së Veriut.”,- shton Ame.

Deri atëherë, nëse ndodh, kjo trupë do të vijojë të performojë kudo nëpër Shqipëri dhe përreth, si një dëshmi, se cirku “nuk del kurrë nga moda.”